
Seanca në Apelin e GJKKO u shty pas kërkesës së mbrojtjes, që pretendon mungesë transparence dhe konflikt interesi mes ish-presidentit dhe gjyqtares Saida Dollani.
Seanca gjyqësore për kërkesën e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, mbi zëvendësimin e masës së sigurisë është shtyrë nga Gjykata e Posaçme e Apelit (GJKKO). Vendimi erdhi pas kërkesës së avokatit të tij, Kujtim Cakrani, i cili argumentoi se procedurat nuk ishin respektuar dhe se pala mbrojtëse nuk ishte njoftuar paraprakisht për emrin e gjyqtares që do të drejtonte procesin.
Sipas Cakranit, gjyqtarja e caktuar për këtë çështje, Saida Dollani, ndodhet në konflikt interesi me Ilir Metën, ndaj kërkoi shtyrjen e seancës për të informuar klientin e tij dhe për të bërë një vlerësim ligjor të situatës.
Gjykata pranoi kërkesën e mbrojtjes, duke shtyrë seancën për datën 23 tetor, e cila përkon me seancën paraprake të planifikuar në të njëjtën ditë, në orën 12:00.
Procesi ndaj ish-presidentit Meta mbetet një ndër më të ndjekurit nga opinioni publik, ndërsa avokatët e tij kanë deklaruar se do të kërkojnë zbatimin e plotë të procedurave ligjore dhe përjashtimin e çdo elementi që mund të cenojë paanësinë e procesit gjyqësor.