
Ministrja e Infrastrukturës kishte paralajmëruar heqjen e tarifës për 24 orë në shenjë lehtësimi për pjesëmarrësit në protestën për ish-krerët e UÇK, por udhëtarët raportojnë se pagesat vijuan normalisht.
Pavarësisht deklaratës së ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, se “Rruga e Kombit” do të ishte pa pagesë për 24 orë, qytetarët që udhëtuan nga Kosova dhe veriu i Shqipërisë drejt Tiranës për protestën e pasdites së sotme u përballën me një tjetër realitet.
Në pikën e pagesës në Kalimash, shumë drejtues automjetesh raportuan se janë detyruar të paguajnë tarifën si në çdo ditë tjetër, duke e cilësuar situatën një mashtrim të hapur dhe tallje me qytetarët.
“Na u tha që do të kalonim falas për protestën, por në vend të respektit na kërkuan pagesë. Kjo është lojë politike,” u shpreh një udhëtar nga Prishtina për mediat kosovare.
Ky zhvillim ka ngjallur reagime të ashpra në rrjete sociale dhe mes protestuesve, të cilët e konsiderojnë njoftimin e ministrisë një premtim të pambajtur dhe një manipulim publik në një ditë që kishte rëndësi simbolike për mbështetësit e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndërkohë, autoritetet rrugore nuk kanë dhënë ende një sqarim për situatën, ndërsa videot dhe fotot e postuara nga qytetarët në rrjetet sociale tregojnë qartë automjetet që vijojnë të paguajnë në pikat e kalimit të autostradës Milot–Morinë.