
Nga Ermal Hasimja
Me 27 mars 1999 policia serbe hyri në shtëpinë e Ferdonije Qerkezit në Gjakovë dhe kërkoi të merrte me vete në stacion burrin dhe 4 djemtë e saj. Nuk mund t’i thuash jo dikujt që vjen me armë në dorë. Thjesht mund të shpresosh që të t’i kthejnë sa më shpejt. Djali i vogël Edmondi 14 vjeçar ishte në gjumë. Policët i kërkuan nënë Ferdonijes që ta zgjojë. Ajo rezistoi, por për të mos rrezikuar zemërimin e policëve e zgjoi me përkëdhelje si çdo nënë djalin e vogël që donte të flinte ende. Pa e ditur se ishin përkëdheljet e fundit. Për vite me rradhë nënë Ferdonija shtronte drekën me 6 pjata në shtëpinë bosh. Pas 5 vjetësh ia sollën nënës Edmondin e vogël dhe një nga djemtë e tjerë. Në arkivol. Të tjerët nuk dihet ende ku janë. Kam një pyetje për ata socialistë që votuan kundër rezolutës së djeshme në kuvend për gjenocidin serb në Kosovë: nëse shkoni një ditë në Gjakovë dhe u del përballë nënë Ferdonija, çfarë do t’i thoni? A keni me pasë guxim me e pa në sy?! A mund të quheni më shqiptarë ju?!