
Të dhënat e INSTAT dhe Eurostat tregojnë se 4 në 10 shqiptarë jetojnë në kushte të rrezikut social, me veriun e vendit që renditet ndër rajonet më të varfra në kontinent.
Shqipëria vazhdon të kryesojë listën e vendeve evropiane me përqindjen më të lartë të popullsisë që jeton në rrezik varfërie ose përjashtimi social. Sipas raportit më të fundit të INSTAT për vitin 2024, 40.5% e qytetarëve shqiptarë ndodhen në këtë kategori, një shifër që e vendos vendin tonë në krye të renditjes europiane, shumë përpara mesatares së Bashkimit Europian, që është 21%.
Të dhënat tregojnë se Shqipëria mbetet vendi me standardin më të ulët të jetesës në kontinent, ku thuajse gjysma e popullsisë përballet me mungesë të të ardhurave minimale, kushte të vështira ekonomike dhe pasiguri në tregun e punës. Pavarësisht një rënieje të lehtë krahasuar me vitet e mëparshme, shkalla e varfërisë mbetet dyfishi i mesatares europiane.
Kategoritë e matjes përfshijnë të ardhurat nën 60% të mesatares kombëtare, mungesën e mjeteve bazë për jetesë dhe punësimin minimal në familje. Sipas INSTAT, shumica e familjeve të prekura nuk arrijnë të përballojnë shpenzime elementare si ushqimi, energjia elektrike, veshmbathja apo pagesat e kredive.
Në renditjen rajonale, situata më alarmante paraqitet në veri të vendit, ku 47.1% e popullsisë jeton në rrezik varfërie. Ky tregues e rendit veriun e Shqipërisë të dytin më të varfër në Europë, pas rajonit francez të Guajanës, duke lënë pas qendrat urbane të vendit që gjithsesi shënojnë nivele të larta përjashtimi social – 44.1% në Qendër dhe 42.6% në Jug.
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria qëndron pas vendeve si Maqedonia e Veriut (30%), Mali i Zi (34.1%) dhe Serbia (24.3%), ndërsa Eurostat konstaton se pabarazitë sociale janë më të theksuara në vendet e Evropës Jugore dhe Lindore.
Ndërkohë që Evropa shënon sot Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Varfërisë, të dhënat për Shqipërinë tregojnë një realitet të hidhur: për shumë familje, varfëria nuk është statistikë, por përditshmëri. Pavarësisht reformave të deklaruara, diferencat sociale dhe mungesa e politikave efektive vazhdojnë ta mbajnë vendin mes më të varfërve të kontinentit.