
Një vit pas aksidentit që i mori jetën miliarderit spanjoll Isak Andic, gjykata në Barcelonë ka rihapur çështjen dhe ka vendosur zyrtarisht djalin e tij, Jonathan Andic, nën hetim për dyshime mbi rrethanat e ngjarjes.
Një zhvillim i papritur ka tronditur botën e biznesit dhe modës në Spanjë: Jonathan Andic, djali i themeluesit të markës së njohur Mango, është vënë zyrtarisht nën hetim nga autoritetet spanjolle për dyshime në lidhje me vdekjen e të atit, Isak Andic, i cili humbi jetën në dhjetor të vitit të kaluar gjatë një shëtitjeje malore pranë Barcelonës.
Isak Andic, 71 vjeç, u rrëzua nga një shkëmb rreth 150 metra i lartë në zonën e Montserrat, ndërsa ndodhej në shoqërinë e të birit. Fillimisht, policia e trajtoi ngjarjen si aksidentale, por pas disa muajsh, gjykata e Martorellit vendosi të rihapë hetimin, duke përfshirë tashmë djalin e tij si të dyshuar për “vrasje me dashje ose për neglizhencë të rëndë”.
Sipas mediave spanjolle, vendimi erdhi pas zbulimit të disa mospërputhjeve në dëshmitë e dhëna nga Jonathan gjatë marrjeve në pyetje dhe raporteve mbi marrëdhënien e tensionuar mes babait dhe djalit. Gjithashtu, hetuesit kanë urdhëruar kontroll të plotë të telefonit të tij për të rindërtuar lëvizjet dhe komunikimet para tragjedisë.
Në deklaratën e bërë publike, familja Andic nuk komentoi mbi hetimet, por theksoi se vazhdojnë të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet dhe se janë të bindur se pafajësia e Jonathan Andic do të provohet në fund të procesit.
Isak Andic, me origjinë turke, ishte një nga njerëzit më të pasur të Spanjës. Ai themeloi Mango në vitin 1984 së bashku me vëllain e tij Nahman, duke e shndërruar në një nga markat më të suksesshme të modës në botë, me mbi 2,700 dyqane në 110 vende dhe më shumë se 14 mijë punonjës.
Sipas Forbes, pasuria e tij vlerësohej në 4.5 miliardë dollarë, ndërsa ai ishte shpallur për vite me radhë si një ndër biznesmenët më me ndikim në Europë.
Tragjedia që solli vdekjen e tij kishte tronditur opinionin publik në Spanjë. Ndërsa fillimisht besohej se bëhej fjalë për një rrëshqitje aksidentale, hetimi i ri pritet të hedhë dritë mbi atë që tashmë po përshkruhet si një nga çështjet më të ndërlikuara dhe të ndjeshme të botës së biznesit spanjoll.