
Futbollisti i skuadrës Khan Tengri u rrëzua papritur në fushë gjatë një ndeshjeje të Ligës së Parë kazake. Pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, i riu nuk arriti të mbijetojë, duke tronditur botën e sportit.
Një ngjarje e rëndë ka tronditur futbollin në Kazakistan. Gjatë ndeshjes mes skuadrës Khan Tengri dhe Ekibastuz, lojtari 19-vjeçar Dias Tuleu u rrëzua papritur në fushë, duke humbur jetën pak minuta më vonë.
Episodi dramatik ndodhi në minutën e 64 të takimit, kur sulmuesi i ri kërkoi ndihmë mjekësore pas një rënieje të menjëhershme. Stafi mjekësor ndërhyri menjëherë dhe e transportoi me barrelë jashtë fushe, ndërsa më pas ai u dërgua në spital.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, jeta e Tuleut nuk mundi të shpëtohej. Sipas mediave vendase, shkaku i saktë i vdekjes së tij ende nuk është bërë publik. Ndeshja u zhvillua deri në fund dhe përfundoi me fitoren 4–0 të Khan Tengrit, por festa sportive u shndërrua në zi.
I lindur në qytetin Almaty, Tuleu ishte produkt i akademisë së Kairatit dhe prej prillit 2024 ishte pjesë e ekipit Khan Tengri, ku njihej për përkushtimin dhe pasionin e tij në fushë.
Federata e Futbollit e Kazakistanit reagoi me një deklaratë zyrtare ku shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e talentit të ri:
“Me trishtim të madh njoftojmë ndarjen nga jeta të sulmuesit të ri, Dias Tuleu. Ai ishte shembull për përkushtim, pasion dhe dashuri për lojën. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe klubin e tij.”
Tragjedia ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale dhe komunitetin sportiv kazak, që e kanë cilësuar humbjen e Tuleut si një “plagë të madhe për futbollin e vendit”.