
I zhytur në akuza të vazhdueshme për lidhje me Jeffrey Epstein dhe i goditur nga zbulime të reja komprometuese, princi britanik Andrew njofton publikisht dorëheqjen nga titulli dhe nderimet mbretërore.
Pas më shumë se një dekade në qendër të polemikave, princi Andrew, 65 vjeç, ka vendosur të tërhiqet përfundimisht nga jeta publike. Në një deklaratë zyrtare të bërë publike të premten, ai njoftoi se po heq dorë nga titulli i tij mbretëror dhe nga çdo nderim që shoqëron pozitën e tij.
“Pas diskutimeve me Mbretin Charles III dhe me familjen time, kemi rënë dakord se akuzat e vazhdueshme ndaj meje po dëmtojnë punën dhe reputacionin e Madhërisë së Tij dhe të familjes mbretërore,” shkroi Andrew. “Kam vendosur, si gjithmonë, të vendos në plan të parë detyrën time ndaj familjes dhe vendit tim.”
Princi, i cili ka qenë në qendër të kritikave për lidhjet e tij me financierin amerikan Jeffrey Epstein, theksoi në komunikatë se i mohon “kategorikisht” akuzat që i janë bërë. “Nuk do të përdor më titullin tim dhe as privilegjet që burojnë prej tij,” shtoi ai.
Sipas mediave britanike, Andrew ka hequr dorë gjithashtu nga anëtarësia në Urdhrin e Jarretières, nderimi më i lartë kalorësor në Mbretërinë e Bashkuar, i krijuar në shekullin XIV. Ndërkohë, ish-bashkëshortja e tij, Sarah Ferguson, do të ndalojë përdorimin e titullit “Dukeshë e Jorkut”, ndërsa vajzat e tyre, Beatrice dhe Eugenie, do të ruajnë statusin e princeshave.
Vendimi i Andrew vjen në një moment të ri tensioni publik, pas botimit të ekstrakteve nga një libër i autores Virginia Giuffre, e cila e kishte akuzuar princin për abuzim seksual kur ajo ishte 17 vjeçe. Në shkrimet e saj postume, Giuffre rrëfen: “ai besonte se kishte të drejtë të flinte me mua”, duke përshkruar takimin e parë në vitin 2001 në shtëpinë e Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtore e Epstein.
Në vitin 2021, Giuffre kishte ngritur një padi kundër princit Andrew, e cila u mbyll pa gjyq, pasi ai pranoi të paguante disa milionë dollarë për zgjidhje jashtë gjykate. Por dokumentet e reja të publikuara nga shtypi britanik tregojnë se Andrew ka vazhduar kontaktet me Epstein edhe pas pretendimit se i kishte ndërprerë ato në vitin 2010. Një email i datës shkurt 2011, që citohet në media, lexon: “Të qëndrojmë në kontakt, do të takohemi përsëri shumë shpejt!”
Në të njëjtën kohë, gazeta The Telegraph raportoi se princi ishte takuar disa herë, në vitet 2018 dhe 2019, me një zyrtar kinez të përfshirë në një skandal të dyshuar spiunazhi, çka e thellon edhe më shumë krizën e besueshmërisë së familjes mbretërore britanike.
I quajtur dikur “djali rebel” i Mbretëreshës Elizabeth II, princi Andrew duket se po përballet me fundin përfundimtar të jetës së tij publike. Pas largimit të detyrueshëm nga funksionet mbretërore në vitin 2019, tani edhe titulli që e lidhte me kurorën britanike i është bërë barrë dhe ai vetë ka vendosur ta lërë pas, mes një stuhie akuzash, skandalesh dhe turpi publik që nuk shuhet lehtë.