
Prej më shumë se një dekade nën mbrojtje, gazetari investigativ i “Report” në Rai3, Sigfrido Ranucci, tregon se një organizatë kriminale kishte punësuar dy shqiptarë për ta eliminuar, pas një serie raportimesh që zbuluan lidhjet e mafies me biznesin dhe politikën.
Gazetari i njohur italian Sigfrido Ranucci, një nga zërat më të guximshëm të gazetarisë investiguese në Itali, ka zbuluar se është prej vitesh objekt i kërcënimeve të rënda për jetën. Në një intervistë, ai tregon se një atentat ndaj tij ishte planifikuar nga një organizatë mafioze, e cila kishte punësuar dy shqiptarë për ta ekzekutuar.
Ranucci, drejtues i emisionit investigativ Report në Rai3, ndodhet nën mbrojtje të përhershme që nga viti 2021, ndërsa kujdesi ndaj tij nisi që në vitin 2009, pas një serie reportazhesh që preknin interesa të mëdha ekonomike dhe kriminale në jug të Italisë.
“Që nga mesi i gushtit të vitit 2021, unë jam nën mbrojtje 24 orë në 24. Nga burgu, një i dënuar për trafik droge kishte porositur dy vrasës të huaj, shqiptarë, për të më vrarë. Ky njeri ishte i lidhur me familje të ‘Ndranghetas dhe me rrjetin ndërkombëtar të kartelit të Pablo Escobar,” ka rrëfyer Ranucci.
Sipas tij, rreziku u konfirmua pas hetimeve të autoriteteve italiane, të cilat zbuluan se porositësi i atentatit kishte lidhje të drejtpërdrejta me grupet kriminale që operonin në Siçili dhe Kalabri. Pavarësisht kësaj, procesi penal ndaj personave të përfshirë nuk është hapur ende.
Gazetari kujton gjithashtu kërcënime të mëparshme. Në vitin 2010, një tjetër plan për eliminimin e tij, i organizuar nga klani Santapaola-Ercolano, u anulua në minutën e fundit, pasi ndërhyri vetë boshi mafioz Matteo Messina Denaro. “Nuk ishte për mua një gjest mbrojtjeje, por një paralajmërim që tregon se edhe vdekja ime do të përdorej si instrument mes mafies,” ka thënë ai.
Në nëntor të vitit 2024, pas një reportazhi mbi konfliktin Izrael-Palestinë dhe ndikimin e lobit të armëve në Evropë, Ranucci mori kërcënime të reja, ndërsa autoritetet zbuluan plumba të vendosur përpara shtëpisë së tij dhe ndjekje të përsëritura nga persona të dyshimtë.
Megjithë frikën dhe presionin e vazhdueshëm, gazetari refuzon të tërhiqet. “Unë nuk kam frikë nga ata që më kërcënojnë. Kam më shumë frikë nga heshtja e shoqërisë përballë këtyre njerëzve,” deklaron ai.
Emisioni Report i drejtuar prej tij ka denoncuar ndër vite lidhje mes mafies, politikës dhe sipërmarrjes publike, duke ekspozuar korrupsionin në kontrata miliardëshe, marrëveshje energjetike dhe rrjete të trafikut ndërkombëtar.
“Gazetaria e lirë,” thotë Ranucci, “nuk është një privilegj, por një mision që shpesh kërkon të përballesh me errësirën për të mbrojtur dritën.”
Historia e tij është sot një nga shembujt më domethënës të guximit gazetaresk në Itali, një kujtesë e dhimbshme se e vërteta, në shumë raste, mbetet rrezik për ata që guxojnë ta thonë me zë.