
Pas dy vitesh lufte dhe dhunë në Rripin e Gazës, armëpushimi e ka lënë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të ekspozuar ndaj presioneve të brendshme, izolimit ndërkombëtar dhe hetimeve për krime lufte.
Pas më shumë se dy vjetësh luftë shkatërruese në Gaza, marrëveshja e armëpushimit e arritur këtë javë nuk po shihet si fitore për Benjamin Netanyahun. Përkundrazi, për shumë analistë dhe ish-diplomatë izraelitë, paqja ka ardhur shumë herët për një lider që dukej se po e përdorte konfliktin për mbijetesë politike.
Në mënyrë paradoksale, fundi i luftës e ka vendosur Netanyahun në një pozitë më të vështirë se kurrë më parë, duke i hapur rrugën gjashtë krizave të reja që kërcënojnë ta rrëzojnë përpara zgjedhjeve të vitit 2026.
1. Izolimi ndërkombëtar
Izraeli ndodhet në një shkallë të paprecedentë izolimi diplomatik, dhe figura e Netanyahut është bërë simbol i kësaj situate. Me mbi 67 mijë palestinezë të vrarë dhe me pamjet e urisë masive në Gaza, opinioni publik botëror është kthyer kundër Izraelit.
Në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë po rritet presioni për sanksione dhe hetime, ndërsa vendet arabe kanë refuzuar çdo formë normalizimi. Edhe vizioni i Netanyahut për ta kthyer Izraelin në një “Super-Spartë” të përhershme në luftë është pritur me mosbesim dhe ka shkaktuar rënie të tregjeve financiare.
2. Kriza brenda koalicionit qeverisës
Netanyahu po përballet me pakënaqësi të madhe nga aleatët e tij të ekstremit të djathtë, si ministrat Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben-Gvir, të cilët kundërshtojnë armëpushimin dhe kërkojnë rikthimin e ofensivës ushtarake. Për të ruajtur mazhorancën, Netanyahu po përpiqet të sjellë sërish partitë ultraortodokse në koalicion, duke u premtuar përjashtime nga shërbimi ushtarak.
3. Rreziku i ndjekjes penale ndërkombëtare
Në nëntor të vitit 2024, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arresti për krime lufte ndaj Netanyahut dhe ish-ministrit të mbrojtjes Yoav Gallant, për veprimet në Gaza. Paralelisht, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë po shqyrton akuzat për gjenocid ndaj Izraelit, çështje që pritet të zgjatet deri në fund të vitit 2027. Nëse shpallet fajtor, Netanyahu mund të përballet me dënim deri në 30 vjet burg.
4. Rreziku nga Tramp
Edhe pse Donald Tramp ka qenë mbështetësi më i fortë i Izraelit, marrëdhëniet mes tij dhe Netanyahut janë përkeqësuar. Trump është irrituar nga përpjekjet e kryeministrit për ta përdorur politikisht, si dhe nga incidenti në Doha ku Izraeli goditi negociatorët e Hamasit.
Burime pranë ish-presidentit amerikan thonë se ai ndjehet “i tradhtuar” dhe mund të braktisë Netanyahun nëse paqja dështon.
5. Hetimi për dështimet para 7 tetorit
Pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ku humbën jetën mbi 1,100 persona, ushtria dhe shërbimet sekrete izraelite u përballën me akuza për neglizhencë. Dy drejtuesit kryesorë dhanë dorëheqjen, por Netanyahu refuzoi çdo hetim ndaj vetes. Tani, pas armëpushimit, Gjykata e Lartë e Izraelit ka urdhëruar që brenda 30 ditësh të nisë një hetim të pavarur ndaj qeverisë së tij.
6. Çështjet e korrupsionit dhe rreziku i burgut
Netanyahu është ende në proces gjyqësor për tre dosje korrupsioni që përfshijnë ryshfet, mashtrim dhe abuzim me detyrën. Në rast dënimi, ai mund të përballet me 10 vjet burg. Donald Tramp madje ka bërë thirrje për faljen e tij, duke i cilësuar akuzat “për puro dhe shampanjë”, por drejtësia izraelite po e ndjek çështjen me ngulm.
Për herë të parë në karrierën e tij politike, Benjamin Netanyahu po e sheh pushtetin të lëkundet nga të gjitha anët, nga jashtë, nga brenda dhe nga drejtësia.
Në vend që ta forconte, lufta në Gaza mund të ketë qenë preludi i fundit të epokës së tij politike.