
47 shkelje të armëpushimit, dhjetëra viktima dhe tensione të reja mes Tel Avivit dhe Hamasit
Kriza në Lindjen e Mesme po përshkallëzohet sërish. Ushtria izraelite ka kryer 47 shkelje të marrëveshjes së armëpushimit që hyri në fuqi në fillim të tetorit, duke vrarë të paktën 38 palestinezë dhe plagosur mbi 140 të tjerë, sipas autoriteteve palestineze.
Ndërkohë, Izraeli ka njoftuar se do të mbajë të mbyllur kalimin kufitar të Rafahut me Egjiptin deri në një urdhër të dytë, pasi kryeministri Benjamin Netanyahu akuzoi Hamasin se nuk po bashkëpunon për kthimin e trupave të pengjeve izraelite. Hamas reagoi ashpër, duke e akuzuar Netanyahun se po përdor pretekste të dobëta për të prishur armëpushimin.
Në Tel Aviv, qindra qytetarë kanë protestuar duke kërkuar nga qeveria izraelite të sigurojë kthimin e trupave të të gjithë pengjeve nga Gaza.
Ndërkohë, raportime të tjera flasin për intensifikim të dhunës në Bregun Perëndimor, ku kolonë të armatosur izraelitë kanë sulmuar fermerë palestinezë pranë fshatit Turmus’ayya, duke i detyruar të braktisin arat e ullinjve.
Sipas Kombeve të Bashkuara, që nga 7 tetori 2023, të paktën 75 palestinezë janë vrarë në burgjet izraelite, shumë prej tyre me shenja torture. Totali i viktimave të luftës në Gaza ka arritur në mbi 68 mijë të vrarë dhe mbi 170 mijë të plagosur.
Ndërsa komuniteti ndërkombëtar kërkon ruajtjen e armëpushimit, në terren realiteti mbetet i njëjtë: Gaza vazhdon të digjet mes sulmeve, varreve të reja dhe shpresave që po shuhen çdo ditë më shumë.