
Dokumente të reja që po hetohen nga Kongresi amerikan zbulojnë marrëdhënien e ngushtë mes ish-dukeshës së Jorkut dhe financierit të dënuar për abuzim seksual
Një seri e re emailesh tronditëse ka hedhur dritë mbi lidhjet e fshehta financiare mes Sarah Ferguson dhe Jeffrey Epstein. Sipas dokumenteve që po shqyrtohen nga Kongresi amerikan, Epstein kishte mbështetur ekonomikisht ish-dukeshën e Jorkut për gati 15 vjet, duke i paguar borxhe dhe duke e ndihmuar financiarisht në mënyrë të përsëritur.
Emailet tregojnë se Ferguson, në periudha të vështira, i kërkonte huazime që varionin nga 50 mijë deri në 100 mijë dollarë për të shlyer faturat personale. Në një prej mesazheve, ajo madje kërkon të vizitojë ishullin privat të Epsteinit, ndërsa në një tjetër, financierit i shprehet falënderim për miqësinë dhe mbështetjen e tij.
Në korrespondencë, Epstein përmend se Ferguson kishte marrë pjesë në një festë për lirinë e tij pas daljes nga burgu, bashkë me dy vajzat e saj, Princeshën Beatrice dhe Eugenie, atëherë 20 dhe 19 vjeç.
Dokumentet përfshijnë gjithashtu draftet e një letre që Epstein e detyroi Fergusonin të shkruante si kërkim falje publike, pas një interviste ku ajo ishte distancuar nga ai. Në një nga versionet, Ferguson i shprehet: “Ka pasur shumë gjëra të pavërteta për ty në shtyp… Ti ke qenë një mik i besueshëm për familjen time për shumë vite.”
Burime pranë hetimit thonë se marrëdhënia mes tyre ishte më e thellë sesa ishte pranuar publikisht. Në emailet e tjera, Epstein flet me irritim për kërkesat e shpeshta për para dhe përpjekjet e dukeshës për të mbajtur kontakte me të, edhe pasi ai ishte dënuar për shfrytëzim të të miturve.
Përmes korrespondencës del gjithashtu se Epstein kishte ndihmuar në ngritjen e një fondacioni bamirës për Fergusonin dhe madje i kishte dërguar pikat e diskutimit për një intervistë me Oprah Winfrey në vitin 2011.
Burime nga Londra thonë se si Sarah Ferguson ashtu edhe Princ Andrew e kanë mohuar gjithmonë çdo lidhje me Epstein pas dënimit të tij, por emailet e reja sugjerojnë të kundërtën. Një burim i afërt me hetimin ka deklaruar se Epstein u lodh nga kërkesat për para dhe i ndërpreu vetë kontaktet me ta.
Zyra e Sarah Ferguson ka refuzuar të komentojë mbi publikimin e dokumenteve të reja, që pritet të bëhen publike pas procesit të redaktimit nga autoritetet amerikane.