
Sot në Tiranë do të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve nga ora 08:00 deri në 16:00 për shkak të organizimit të aktivitetit “Maratona e Tiranës 2025”. Policia ka njoftuar se kufizimet do të vlejnë në shumë zona dhe rrugë të ndryshme, përfshirë sheshin “Nënë Tereza”, bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rrugët “Gjergj Filipi”, “Papa Gjon Pali II”, “Ismail Qemali”, “Bajram Curri”, kryqëzimin me Rrugën e Elbasanit, rrugën “George W. Bush”, rrugën “Abdi Toptani”, bulevardin “Zog I”, Bulevardin e Ri, rrugën “Ded Gjo Luli”, rrugën e “Durrësit”, rrugën e “Kavajës”, rrugën “Myslym Shyri”, bulevardin “Zhan D’Ark” (nga ura e Gjykatës deri te ura e “Taiwan”), bulevardin “Bajram Curri” (nga ura e Gjykatës së Rrethit deri te ura e “Taiwan”), rrugën “Ibrahim Rugova” dhe rrugën “Lek Dukagjini”.
Për të siguruar mbarëvajtjen e maratonës, itinerari i mjeteve të transportit urban do të pezullohet përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshit “Nënë Tereza”, si dhe në të gjitha segmentet rrugore që përkojnë me itinerarin e maratonës. Gjithashtu, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve për transport të përzier, teknologjikë dhe atyre për transport pasagjerësh (përveç mjeteve të transportit urban qytetas), në brendësi të Unazës së Madhe, gjatë periudhës 08:00 – 16:00.
Qarkullimi i mjeteve të Emergjencës dhe i Policisë së Shtetit do të vijojë normalisht në të gjitha itineraret e përmendura. Policia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjen me automjete në zonat ku do të ketë kufizime, të përdorin rrugë alternative dhe të respektojnë udhëzimet e punonjësve të Policisë në terren për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e aktivitetit.