
Ish-ministri publikon një letër të hapur ku denoncon dështimin e Kuvendit për t’i kërkuar llogari KLGJ, KLP, ILD dhe SPAK për punën e tyre vjetore
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka reaguar me tone të ashpra ndaj mënyrës se si Kuvendi i Shqipërisë trajton raportimet vjetore të institucioneve të drejtësisë. Në një letër të hapur, ai akuzon parlamentin se ka dështuar për dy vite rresht të ushtrojë kontrollin kushtetues ndaj institucioneve që gëzojnë pavarësi, por që, sipas tij, kanë kthyer këtë pavarësi në mburojë për të shmangur llogaridhënien.
Beqaj, shkruan se nga distanca i ka ndjekur me vëmendje raportimet e institucioneve si KLGJ, KLP, ILD dhe SPAK, dhe se drejtuesit e tyre i shmangen pyetjeve konkrete duke u justifikuar me pavarësinë institucionale. Ai e quan këtë qasje një deformim të thellë të reformës në drejtësi, duke theksuar se Kuvendi po mjaftohet me dëgjime formale dhe jo me kontroll real.
Në letrën e tij, Beqaj rendit një sërë pyetjesh për të cilat kërkon përgjigje të drejtpërdrejta: nga moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, mungesa e kryetarëve të përhershëm në gjykata, deri te standardet e dobëta të hetimeve digjitale dhe tarifat e pabarabarta për qytetarët në raport me institucionet. Ai e quan të papranueshme që gjykatat e larta japin vendime kontradiktore dhe që prokuroritë shkelin afatet ligjore pa pasoja.
Sipas Beqajt, drejtësia shqiptare po operon me standarde të vjetruara, duke përmendur faktin se pragu financiar për vlerësimin e një vepre penale si “me pasoja të rënda” mbështetet ende në një vendim të vitit 2003. Ai ironizon se drejtësia gjykon me vlerën e parasë së para 22 viteve, ndërsa pagat e prokurorëve janë rritur disa herë.
Në fund të letrës, ish-ministri i drejtohet drejtpërdrejt deputetëve, duke i sfiduar të mos fshihen më pas justifikimit të pavarësisë institucionale. “Kuvendi ka dy zgjedhje: të mbulohet me fjalime, ose të zbulojë me pyetje. Unë, nga ky regjim i kufizuar, kam zgjedhur pyetjet. Ju?”, shkruan ai.
Reagimi i Beqajt vjen në një moment kur debati për rolin e Kuvendit në mbikëqyrjen e institucioneve të drejtësisë është ndezur më shumë se kurrë, ndërsa vetë ish-ministri mbetet nën hetim për çështje që lidhen me fondet e projekteve publike.