
Policia franceze ka rrethuar ndërtesën më të vizituar në botë pas një grabitjeje spektakolare në zemër të Parisit, ku autorët dyshohet se hynë nga pjesa pranë lumit Sena
Paniku ka përfshirë sot zemrën e Parisit, pasi muzeu i famshëm “Louvre” është mbyllur papritur për publikun, pas një grabitjeje të rëndë që dyshohet të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit. Sipas mediave franceze, një bandë hajdutësh ka arritur të depërtojë në ndërtesë nga ana e lumit Senë, në një zonë ku po zhvillohen punime restaurimi, dhe ka vjedhur bizhuteri me vlerë miliona euro që dikur i përkisnin Napoleonit dhe Josephine Bonaparte.
Autoritetet kanë ndërprerë menjëherë hyrjen e turistëve dhe kanë evakuuar mijëra vizitorë që ndodheshin brenda. Policia ka rrethuar zonën dhe po heton vendngjarjen, ndërsa fotografi të publikuara në rrjetet sociale tregojnë një shkallë të vendosur në pjesën e pasme të ndërtesës, që besohet të jetë përdorur nga autorët për hyrje ose dalje.
Sipas burimeve të policisë, hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për një operacion të mirëorganizuar, me njohuri të brendshme për strukturën dhe sigurinë e muzeut. Deri tani, nuk është bërë i ditur asnjë arrestim, ndërsa autoritetet franceze kanë vendosur një njësi speciale për të ndjekur gjurmët e bizhuterive të vjedhura.
Muzeu “Louvre”, një nga monumentet më të vizituara në botë, mban disa nga veprat më të njohura të historisë, përfshirë “Mona Lisën” e Leonardo da Vinçit dhe “Venusin e Milo-s”. Megjithatë, sipas burimeve, asnjë prej këtyre veprave nuk është dëmtuar.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik francez, ndërsa autoritetet kanë njoftuar se muzeu do të mbetet i mbyllur deri në përfundim të hetimeve. Ministria e Kulturës pritet të mbajë një konferencë urgjente për mediat pasdite për të dhënë detaje mbi incidentin dhe masat e reja të sigurisë që do të ndërmerren.