
Skena të dhunshme në Angli, ku një ndeshje e kategorisë së tetë u ndërpre në minutën e 84-t pas një zënke masive midis lojtarëve të Kidsgrove Athletic dhe tifozëve të Avro FC
Një ndeshje futbolli në Angli është kthyer në arenë dhune pas një përleshjeje të rëndë midis lojtarëve dhe tifozëve, duke detyruar gjyqtarin të ndërpresë menjëherë takimin. Incidenti ndodhi gjatë ndeshjes mes Avro FC dhe Kidsgrove Athletic në “Vestacare Stadium” në Oldham, për llogari të Northern Premier League Division One West.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momente të tensionuara, ku portieri i Kidsgrove shihet duke goditur me grusht një tifoz të skuadrës vendase pas një përplasjeje verbale pas portës. Më pas, disa lojtarë dhe zëvendësues të ekipit vizitor janë parë duke hyrë në tribunë për t’u përfshirë në sherr, ndërsa stafi teknik përpiqej të ndalonte situatën.
Sipas mediave britanike, ndeshja kishte qenë e ndezur që më parë, pasi dy lojtarë të Kidsgrove ishin ndëshkuar me karton të kuq, ndërsa në minutën e 80-të u përjashtua edhe trajneri-lojtar Tom Pope pas një debati me tifozët. Kur tensioni arriti kulmin, disa tifozë u përfshinë fizikisht në konflikt, ndërsa fëmijë dhe familje që ndodheshin në stadium u panë duke u tërhequr me panik.
Pas përleshjes, ndeshja u ndërpre në minutën e 84-t, me Avro që kryesonte 6-0 ndaj rivalëve me nëntë lojtarë. Të dy klubet reaguan menjëherë me deklarata zyrtare duke dënuar aktet e dhunës dhe duke u zotuar se do të bashkëpunojnë me Federatën Angleze të Futbollit (FA) dhe organizatorët e ligës për hetimin e plotë të ngjarjes.
“Jemi të tronditur nga sjellja e disa tifozëve dhe lojtarëve,” tha Avro FC në një deklaratë publike. “Do të bashkëpunojmë plotësisht me FA-në për zbardhjen e rastit.” Nga ana tjetër, Kidsgrove deklaroi se nuk e toleron asnjë formë sjelljeje të papërshtatshme dhe se do të dorëzojë raport të plotë për hetim.
Incidenti ka ngjallur reagime të forta në komunitetin sportiv britanik, me kërkesa që federata të marrë masa të ashpra ndaj të përfshirëve, për të shmangur përsëritjen e rasteve të tilla në futbollin anglez amator.