
E mitura u hodh nga dritarja për t’u shpëtuar zjarrit që shkatërroi banesën familjare; ndodhet në gjendje të rëndë në Tiranë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Maliqit në orët e para të së dielës, ku një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një banesë dhe ka marrë jetën e dy personave; një gruaje dhe djalit të saj adoleshent.
Viktimat janë identifikuar si Merjeme Azizllari dhe djali i saj 14-vjeçar, Valter Azizllari. Ndërkohë, vajza e vogël e familjes, vetëm 6 vjeç, ka arritur të mbijetojë mrekullisht pasi është hedhur nga dritarja për të shpëtuar nga flakët.
E mitura u dërgua fillimisht në spitalin e Korçës, por për shkak të plagëve të rënda nga djegiet, është transportuar me urgjencë drejt Tiranës për trajtim të specializuar. Mjekët konfirmojnë se gjendja e saj është kritike.
Sipas dëshmive të fqinjëve, flakët u përhapën me shpejtësi në banesën e Azizllarëve, duke mos u lënë kohë viktimave për të dalë. Shërbimet zjarrfikëse dhe policia ndodhen në vendngjarje, ndërsa po hetohen rrethanat e plota të tragjedisë.