
Në vitin 1927, një notare britanike me guximin e rrallë i dha jetë legjendës së parë të marketingut sportiv dhe bëri të pavdekshëm orën “Oyster” të Rolex
Në tetorin e vitit 1927, një vajzë e re britanike me origjinë gjermane po luftonte me valët e ftohta të Kanalit Anglez. Quhej Mercedes Gleitze dhe në qafë mbante një orë të vogël ari, ende në fazë prove; “Rolex Oyster”. Pas 10 orësh not në ujëra të akullta, ora doli e padëmtuar, duke mbajtur saktësisht kohën. Me atë notim, që historia e njeh si “Vindication Swim”, lindi jo vetëm një rekord sportiv, por edhe miti i Rolex.
Mercedes Gleitze ishte një sekretare e zakonshme në Londër që iu përkushtua pasionit për notin ekstrem. Pasi e kishte tentuar disa herë pa sukses kalimin e Kanalit, ajo u bë e para britanike që e arriti më 7 tetor 1927, pas 15 orësh luftë me detin. Por fama e saj u vu në dyshim kur një grua tjetër pretendoi rrejshëm se e kishte kaluar më shpejt. Për të mbrojtur nderin, Mercedes pranoi të përsëriste sfidën. Kjo herë, bashkë me të, në ujë zbriti edhe historia e një ore që do të ndryshonte përgjithmonë botën e orave.
Hans Wilsdorf, themeluesi i Rolex, pa tek ajo mundësinë e përsosur për të provuar në publik shpikjen e tij më të fundit: një orë të papërshkueshme nga uji, që nuk ndalej as në kushtet më ekstreme. Ai i dhuroi Gleitze orën Oyster, e cila i qëndroi 10 orë dhe 24 minuta të zhytur në ujë të kripur, pa humbur asnjë sekondë. Kjo ishte prova që i duhej Wilsdorf për të nisur një fushatë reklamuese revolucionare: “Ora që sfidoi Kanalin”.
Në ditët që pasuan, “Rolex Oyster” u bë simbol i qëndrueshmërisë, saktësisë dhe guximit njerëzor. Mercedes Gleitze u bë ambasadorja e parë zyrtare e një marke luksi, një koncept i panjohur deri atëherë.
Sot, pas gati një shekulli, ora origjinale e Gleitze, e gdhendur me mbishkrimin “The Original Oyster, Vindication Channel Swim, October 21st 1927”, do të dalë në ankand nga Sotheby’s në Gjenevë, me një vlerë të vlerësuar mbi 1.3 milionë dollarë.
Ky objekt i vogël i artë nuk është thjesht një relike e historisë së orave. Ai përfaqëson bashkimin e dy historive që ndryshuan rrjedhën e shekullit: një grua që sfidoi detin dhe një markë që e ktheu guximin në art mekanik.