
Themeluesi i Amazon dhe Blue Origin beson se njeriu do të vendoset në orbitë nga dëshira, jo nga nevoja, ndërsa robotët do të kryejnë punët në Hënë e më tej
Jeff Bezos, themeluesi i Amazon dhe kompania hapësinore Blue Origin, ka bërë një deklaratë të bujshme gjatë fjalimit të tij në Italian Tech Week 2025. Ai parashikon që brenda dy dekadave të ardhshme, miliona njerëz do të jetojnë në hapësirë, jo nga nevoja, por nga dëshira për të qenë pjesë e një bote të re.
Bezos u shpreh se është e pamundur të ndihesh i dekurajuar në kohën që po jetojmë, duke hedhur poshtë alarmet rreth inteligjencës artificiale. Sipas tij, çdo revolucion teknologjik në histori ka sjellë përmirësim të mirëqenies njerëzore. Ai përmendi shembuj nga e kaluara, duke thënë se shpikja e plugut para 10 mijë vitesh e bëri njerëzimin më të pasur dhe se e njëjta gjë do të ndodhë me teknologjitë e sotme.
Në vizionin e tij, njeriu do të jetojë në hapësirë nga vullneti, ndërsa punët e rënda do të kryhen nga robotë. “Nëse na duhet të ndërtojmë apo mirëmbajmë diçka në Hënë, do t’i dërgojmë robotët atje, është shumë më efikase sesa të dërgosh njerëz”, tha ai.
Blue Origin, projekti hapësinor i Bezos, po zhvillon raketën New Glenn, të aftë për të transportuar ngarkesa të rënda përtej orbitës tokësore, si dhe stacionin privat Orbital Reef, që pritet të shërbejë si platformë për kërkues, kompani dhe turistë në hapësirë.
Vizioni i tij përputhet me atë të sipërmarrësve të tjerë si Sam Altman dhe Elon Musk, të cilët gjithashtu e shohin të ardhmen përtej Tokës. Altman ka deklaruar se brenda dhjetë vitesh shumë të rinj do të punojnë në profesione të reja dhe të paguara mirë në hapësirë, ndërsa Musk vazhdon përgatitjet për kolonizimin e Marsit përmes projektit Starship.
Megjithatë, ndërsa miliarderët flasin për qytetërime ndërplanetare, kritikat po shtohen ndaj këtij entuziazmi që shpesh shihet si i shkëputur nga realiteti tokësor. Në një kohë kur bota përballet me kriza ekonomike, ekologjike dhe sociale, vizioni i Bezos duket për shumëkënd si një luks i largët, më shumë utopi sesa plan konkret për të ardhmen njerëzore.