
Në një epokë ku automjetet elektrike duken shpikje moderne, kjo foto e rrallë e vitit 1916 tregon një grua londineze mbi një skutër elektrik, pararendëse e asaj që sot quajmë urban mobility.
Në mes të një mëngjesi me mjegull në Londrën e fillimshekullit XX, një grua e veshur me pallto kadifeje dhe kapelë elegante lëviz e qetë mbi një pajisje që për kohën dukej futuriste: skuteri elektrik “Autoped”. Fotografia është bërë në një periudhë kur gratë fillonin të sfidonin kufizimet e shoqërisë industriale dhe teknologjia sapo po merrte formën e parë moderne.
E realizuar në vitin 1916 nga fotografi Paul Thompson, kjo foto tregon Florence Priscilla, zonjën Norman, një aktiviste britanike për të drejtat e grave dhe mbikëqyrëse zyrash gjatë kohës së luftës, teksa udhëton me një skuter motorik “Autoped” për në punë. Skuteri pasqyron periudhën e bumit të skuterëve të motorizuar në vitet 1910, të cilët promovoheshin për gratë si një mjet i përshtatshëm transporti urban.
“Autoped” ishte prodhuar në SHBA dhe më vonë në Gjermani, me një motor të vogël elektrik dhe me shpejtësi që arrinte deri në 35 km/h, mjaftueshëm për të bërë përshtypje në rrugët e asaj kohe. U promovua si një mënyrë e re, elegante dhe praktike për t’u transportuar në qytet pa ndihmën e burrave apo të makinave të mëdha.
Në këtë foto, që sot është bërë ikonike, shihet jo vetëm një moment teknologjik, por edhe një moment emancipimi. Gruaja në skutër nuk është thjesht një kalimtare e rastësishme, ajo përfaqëson brezin e parë të grave që përvetësuan lirinë e lëvizjes në një botë ende të mbërthyer nga rregullat e vjetra.
Më shumë se një shekull më vonë, kjo pamje duket si një profeci e heshtur: epoka e transportit personal elektrik kishte nisur që në rrugët e mjegullta të Londrës, me një grua të guximshme në qendër të saj.