
Një tërmet me magnitudë 4.2 të shkallës Rihter ka goditur pas mesnate zonën e jugut të vendit, me epiqendër në fshatin Ballaban të Këlcyrës. Lëkundja është regjistruar rreth orës 01:00 dhe është ndier qartë në disa qytete përreth.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, tërmeti ka pasur një thellësi fokale prej rreth 10 kilometrash, duke bërë që dridhjet të ndihen fuqishëm në sipërfaqe. Qytetarë nga Këlcyra, Përmeti, Gjirokastra, Berati dhe Skrapari kanë raportuar lëkundje të forta, por me kohëzgjatje të shkurtër.
Banorë të shumtë janë zgjuar në mes të natës nga tronditja, por fatmirësisht deri tani nuk janë raportuar dëme materiale apo persona të lënduar. Autoritetet lokale dhe grupet e emergjencës po monitorojnë situatën dhe po kryejnë verifikime në terren.