
Ish-kryeministri Sali Berisha sulmon drejtësinë e re dhe KLGJ, duke deklaruar se gjyqtarja e GJKKO Irena Gjoka ushtron funksionin në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përsëritur sot akuzat e tij të rënda ndaj gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, duke e cilësuar atë si të paaftë ligjërisht për të ushtruar detyrën. Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se çdo vendim i firmosur prej saj është i pavlefshëm, pasi, sipas tij, ajo ka fshehur një dënim penal në Greqi dhe është dëbuar dy herë nga territori grek.
Sipas Berishës, gjyqtarja Gjoka ka mashtruar në formularin e dekriminalizimit dhe për këtë arsye duhej të ishte përjashtuar nga sistemi i drejtësisë. “Që nga momenti që ka falsifikuar formularin, çdo vendim që ajo ka dhënë është nul, sepse është marrë nga një person që nuk ka pasur të drejtë të jetë gjyqtare,” tha ai, duke iu referuar edhe vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut si precedent që e mbështesin këtë interpretim.
Berisha akuzoi gjithashtu Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorinë e Përgjithshme për mosveprim të qëllimshëm, duke pretenduar se institucionet po mbrojnë një gjyqtare të paligjshme për të ruajtur kontrollin politik mbi drejtësinë. Ai përmendi si përgjegjës të drejtpërdrejtë, Altin Dumanin dhe vetë kryeministrin Edi Rama, të cilin e cilësoi “arkitekt të reformës që ka kthyer drejtësinë në një instrument politik kundër opozitës”.
Në fund të deklaratës, Berisha theksoi se gjyqtarja Gjoka po mbahet në detyrë për shkak se ajo ka në dorë dosjen e Ilir Metës, të cilën ai e quajti një proces politik pa asnjë bazë penale. Ai paralajmëroi se do të kërkojë ndërkombëtarisht rishikimin e të gjitha vendimeve të dhëna prej saj, duke i cilësuar si të pavlefshme sipas ligjit dhe Kushtetutës.