
Ngjarja ndodhi në fshatin Gështenjas, ku gjatë punimeve bujqësore një mjet shpërthyes i vjetër shpërtheu, duke plagosur banorin që ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Një ngjarje e pazakontë dhe e rrezikshme ka tronditur mëngjesin e sotëm fshatin Gështenjas të Pogradecit. Një 49-vjeçar, teksa punonte tokën me mjet bujqësor, është plagosur nga shpërthimi i një granate të mbetur nga koha e luftës.
Sipas burimeve nga policia lokale, mjeti shpërthyes ishte i fshehur nën tokë dhe ka shpërthyer sapo është goditur nga plugimi. Për pasojë, shtetasi me inicialet G. Y., ka pësuar dëmtime në trup dhe është dërguar me urgjencë në spitalin e Pogradecit, ku po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor. Mjekët konfirmojnë se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Forcat e policisë dhe grupi hetimor kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje për të siguruar zonën dhe për të verifikuar nëse në afërsi mund të ketë edhe mjete të tjera të rrezikshme të mbetura nga periudha e luftës.
Autoritetet u bëjnë apel banorëve të zonave rurale që, në raste të ngjashme, të shmangin kontaktin me objekte të panjohura metalike dhe të njoftojnë menjëherë policinë ose repartin xhenier të ushtrisë për t’i asgjësuar në mënyrë të sigurt.
Ngjarja rikthen në vëmendje rrezikun e armëve të pashpërthyera që ende gjenden në disa zona të vendit, kryesisht në terrene malore dhe bujqësore, duke rrezikuar jetën e qytetarëve.