
E nënshkruar nga vetë autori i golit historik në Leskovac, fanella kuqezi ngjitet në vlerë rekord dhe bëhet objekt dëshire për koleksionistët nga SHBA.
Fanella që Rey Manaj veshi në ndeshjen e paharrueshme të 11 tetorit ndaj Serbisë ka bërë bujë përtej fushës së futbollit. Në ankandin ndërkombëtar të organizuar nga MatchWornShirt, në bashkëpunim me FSHF, bluza e Manajt është shitur për 3,100 euro, duke u kthyer në një nga kujtimet më të kërkuara të historisë së futbollit shqiptar.
Oferta fituese erdhi nga një koleksionist amerikan, i cili rriti çmimin 11 herë më shumë se vlera fillestare prej 378 eurosh, për ta siguruar fanellën që mban firmën e vetë sulmuesit kuqezi. Ky detaj e bën objektin unik, pasi përfaqëson momentin e golit që vulosi fitoren historike të Shqipërisë në Leskovac, një ndeshje që do të mbetet gjatë në kujtesën kombëtare si simbol i krenarisë dhe emocioneve të rralla.
Me këtë shitje, fanella e Manajt renditet e dyta më e vlefshme në historinë e Kombëtares shqiptare, menjëherë pas asaj të Nedim Bajramit, e cila u shit për 5,792 euro pas Euro 2024, kur mesfushori shënoi golin më të shpejtë në historinë e Kampionateve Evropiane.
Ky sukses i fundit në ankand tregon jo vetëm vlerën sentimentale që mbartën ngjyrat kuqezi, por edhe lidhjen emocionale që tifozët e Shqipërisë në mbarë botën kanë me momentet e lavdisë që bashkojnë një komb të tërë.