
21-vjeçari Harley Pearce humbi jetën pranë banesës familjare në Wiltshire, pasi humbi kontrollin e mjetit bujqësor; hetimet paraprake flasin për një defekt të papritur në gomë.
Tronditje në botën e futbollit anglez. Harley Pearce, djali 21-vjeçar i ish-futbollistit të famshëm të Anglisë, Stuart Pearce, ka humbur jetën në një aksident të rëndë me traktor pranë shtëpisë familjare në Wiltshire.
Sipas hetimeve paraprake, i riu po udhëtonte me një traktor në një rrugë rurale kur humbi kontrollin e mjetit, ndoshta për shkak të shpërthimit të një gome. Policia lokale ka konfirmuar se ngjarja ndodhi të enjten e kaluar dhe se Harley ndërroi jetë në vendngjarje, pavarësisht përpjekjeve të ekipeve të emergjencës.
Familja Pearce është njoftuar menjëherë dhe po mbështetet nga oficerë të specializuar. Harley ishte fëmija më i vogël i Stuart Pearce dhe ish-bashkëshortes së tij Liz.
Ngjarja ka prekur thellë komunitetin sportiv dhe miqtë e afërt të ish-mbrojtësit legjendar, i njohur për karakterin e fortë në fushë dhe për periudhën e tij me kombëtaren angleze e klubet si Nottingham Forest dhe West Ham.
Autoritetet britanike po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit tragjik, ndërsa shumë figura të njohura të futbollit kanë shprehur ngushëllimet e tyre për familjen Pearce.