
Ish-kryeministri akuzon publikisht ish-kryebashkiakun e Durrësit dhe lidh jetën e tij me emra të njohur të botës së krimit, duke thënë se bandat tashmë po përdorin institucionet për t’u eliminuar mes tyre.
Sali Berisha ka lëshuar një tjetër akuzë të rëndë politike dhe kriminale, duke deklaruar se ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, është larguar nga Shqipëria. Ai pretendon se Dako është në arrati pas përplasjes me emra të njohur të botës së krimit, ndër ta edhe Aldo Avdylaj dhe Elvis Doçi.
Berisha kujtoi incidentin e ndodhur para pak javësh, kur në makinën e Dakos u vendos një sasi tritoli. Sipas tij, shpërthimi nuk ishte rastësor, por një paralajmërim nga Avdylaj, i cili kërkonte llogari për detyrimet e pambajtura ndaj tij.
“Aldo Avdylaj i kishte thënë Gjushit se tritoli ishte paralajmërim, sepse kishte kryer krimet që i ishin kërkuar, i kishte siguruar vota, por tashmë ishte lënë pas dore. Të gjithë po mbrojnë Elvis Doçin dhe askush nuk pyet për të,” – deklaroi Berisha, duke shtuar se burimi i këtyre të dhënave është një qytetar dixhital, por që sipas tij gëzon besueshmëri të plotë.
Në vijim të deklaratës, Berisha akuzoi SPAK dhe drejtuesin e tij Altin Dumani se po përdoren politikisht për të arrestuar e goditur kundërshtarë të qeverisë, ndërsa bandat e vërteta po qërojnë njëra-tjetrën nën mbrojtjen e institucioneve shtetërore.
Deklaratat e tij kanë rikthyer në vëmendje lidhjet e ngushta mes politikës dhe botës së krimit, një temë që vazhdon të ndezë debatin publik për mënyrën si drejtësia shqiptare po trajton figurat e larta të pushtetit dhe njerëzit e afërt me ta.