
Arrestimi u krye gjatë kontrolleve kufitare, pas verifikimeve të Interpol Tiranës që konfirmuan urdhrin ndërkombëtar të kërkimit nga autoritetet norvegjeze.
Një 35-vjeçar nga Kosova është arrestuar në pikën kufitare të Morinës, pasi rezultoi se ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Norvegjisë. Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se personi i ndaluar, me inicialet J.K., ishte në kërkim nga Interpol Oslo për akuzat e “vjedhjes me dhunë” dhe “plagosjes”, në bazë të një urdhri të lëshuar nga Gjykata Lokale Sor Rogaland.
Sipas njoftimit të policisë, arrestimi u krye gjatë kontrolleve që zhvillohen në hyrje-dalje të territorit shqiptar, me synim identifikimin e personave të shpallur në kërkim që tentojnë të kalojnë kufirin për t’iu shmangur drejtësisë.
Operacioni u realizua nga shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës dhe me mbështetjen e Interpol Tiranës.
Pas ndalimit, autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat ligjore për ekstradimin e 35-vjeçarit drejt Norvegjisë, ku ai do të përballet me drejtësinë për veprat penale të kryera.