
Pas një viti hetimesh dhe përballjeje publike, Gjykata e Tiranës jep vendimin për ngjarjen që tronditi rrjetet sociale dhe opinionin publik në gusht 2024.
Gjykata e Tiranës ka shpallur vendimin për motrat Mariela dhe Antonela Berisha, të akuzuara për dhunën brutale ndaj blogeres Klea Prenga në një lokal të kryeqytetit. Pas shqyrtimit të dosjes dhe aplikimit të gjykimit të shkurtuar, togave të zeza vendosën dënimin për secilën prej tyre.
Mariela Berisha është dënuar me 3 vite burg, të cilat iu ulën në 2 vite për shkak të procedurës së shkurtuar. Dënimi i saj do të kryhet në një institucion të sigurisë së zakonshme, duke nisur nga data e vetëdorëzimit, më 15 tetor 2024.
Ndërkohë, për motrën e saj, Antonela Berisha, e njohur nga programet televizive “Për’Puthen” dhe “Big Brother VIP”, gjykata vendosi 3 vite shërbim prove, të cilat po ashtu u reduktuan në 2 vite.
Ngjarja që ndodhi në gusht të vitit 2024 u bë e njohur në gjithë vendin pasi Klea Prenga u dhunua rëndë gjatë një darke në një restorant të Tiranës. Sipas hetimeve, ajo u godit me sende të forta për motive të konsideruara “banale”.
Pas incidentit, motrat Berisha u shpallën në kërkim dhe u vetëdorëzuan dy muaj më vonë, duke u përballur me akuza për dhunë të rëndë në bashkëpunim. Vendimi i sotëm i Gjykatës mbyll një prej dosjeve më të komentuara të vitit, që ngjalli reagime të forta për nivelin e dhunës dhe ndikimin e personazheve publikë në shoqëri.