
Gjykata e Posaçme ka shtyrë për herë të dytë seancën paraprake ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe disa ish-zyrtarëve të tjerë të Bashkisë. Arsyeja, bojkoti kombëtar i avokatëve pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.
Seanca paraprake ndaj Erion Veliajt dhe të pandehurve të tjerë në dosjen e SPAK është shtyrë sërish, këtë herë për shkak të bojkotit pesëditor të avokatëve në të gjithë vendin. Seanca e radhës është caktuar të zhvillohet më 28 tetor, në orën 10:00, në ambientet e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sipas burimeve gjyqësore, në sallën e sotme munguan përfaqësuesit ligjorë të palëve, ndërsa edhe vetë kryebashkiaku Veliaj nuk ishte i pranishëm. Kjo është shtyrja e dytë brenda muajit, pasi edhe seanca e parashikuar për më 10 tetor nuk u zhvillua për të njëjtën arsye.
Në dosjen e SPAK, Erion Veliaj akuzohet për përfshirje në nëntë episode korrupsioni, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe disa ish-zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Tiranës. Hetimi përfshin edhe kontrata publike të dyshuara për favorizime dhe shpërdorim detyre gjatë periudhës së ushtrimit të mandatit të tij si kryebashkiak.
Në pritje të zhvillimit të seancës më 28 tetor, bojkoti i avokatëve pritet të vazhdojë në disa gjykata të vendit, duke ndikuar në afatet e dhënies së drejtësisë në disa çështje të profilit të lartë.