
I akuzuar për pastrim parash në kuadër të dosjes që përfshin edhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, biznesmeni Elman Abule është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme për të kërkuar ndryshim të masës së sigurisë arrest shtëpie.
Në ambientet e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është zhvilluar sot seanca për biznesmenin Elman Abule, i cili ka kërkuar ndryshimin e vendqëndrimit gjatë periudhës së zbatimit të masës arrest shtëpie.
Abule, i njohur si një ndër bashkëpunëtorët e afërt të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet nën hetim nga SPAK në kuadër të dosjes Veliaj, ku akuzohet për pastrim parash në bashkëpunim me disa persona të tjerë.
Në kërkesën e paraqitur, avokatët e tij kanë argumentuar se gjendja shëndetësore dhe situata familjare e klientit kërkojnë fleksibilitet të përkohshëm të masës, duke kërkuar që ai të lejohet të zhvendoset për një periudhë të kufizuar kohore.
GJKKO pritet të shqyrtojë kërkesën në vijim, ndërsa burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se SPAK do të kundërshtojë ndryshimin e vendqëndrimit, duke argumentuar se ekziston rreziku i ndikimit në hetime dhe kontaktit me persona të tjerë të përfshirë në çështje.
Dosja ku përfshihet edhe emri i Abules mbetet një ndër hetimet më të ndjeshme të momentit, pasi lidhet me transaksione të dyshuara dhe tendera të realizuar gjatë drejtimit të bashkisë së Tiranës.