
Policia tajlandeze ka arrestuar 51-vjeçarin Pittaya Moolin, i njohur në rrjete sociale si Chang Yai Modify, i cili kryente ndërhyrje plastike në organet gjenitale të meshkujve brenda një makine, duke i reklamuar shërbimet përmes TikTok-ut.
Një rast i pazakontë ka tronditur opinionin publik në Tajlandë, ku policia ka arrestuar një mashtrues që kryente operacione estetike të ndaluara për meshkujt brenda makinës së tij personale. 51-vjeçari Pittaya Moolin, i cili prezantohej me emrin Chang Yai Modify, ofronte shërbime si zmadhim penisi, rrethprerje dhe implantim të perlave nëpërmjet një Toyota Corolla të viteve ’90.
Hetimet nisën pasi disa klientë denoncuan aktivitetin e tij, të cilët u tronditën kur zbuluan se ndërhyrjet kryheshin në kushte primitive, pa sterilizim dhe pa licencë mjekësore. Moolin e promovonte veten përmes platformës TikTok, duke u premtuar klientëve shërbim të shpejtë e “të dorëzuar” në vendin ku ndodheshin.
Operacioni i arrestimit u krye më 18 tetor nga policia e Byrosë Qendrore të Hetimeve (CIB) dhe Seksioni i Mbrojtjes së Konsumatorit, të cilët e kapën Moolin në flagrancë teksa kryente një procedurë implantimi në një rrugë të Bangkokut. Gjatë kontrollit, u sekuestruan 189 lloje të ndryshme perlash, anestezikë lokalë, bisturi, shiringa dhe pajisje kirurgjikale të përdorura në kushte higjienike skandaloze.
Gjatë marrjes në pyetje, ai pranoi se nuk kishte ndonjë përgatitje mjekësore dhe se i kishte mësuar procedurat duke parë video në internet. Ai tha se kishte nisur këtë “punë” për të plotësuar të ardhurat, duke pranuar se e ushtronte aktivitetin prej rreth një viti.
Çmimet që ai aplikonte varionin nga 1,000 baht (rreth 23 euro) për implantet me perla, 5,000 baht (114 euro) për rrethprerje, deri në 10,000 baht (229 euro) për injeksione që mbushnin organin gjenital me substanca për zmadhim artificial.
Autoritetet njoftuan se ndaj tij janë ngritur akuza për ushtrim të paligjshëm të profesionit mjekësor, e dënueshme me deri në tre vite burg dhe një gjobë deri në 30,000 baht. Komandanti i policisë së mbrojtjes së konsumatorit, gjeneral major Kongkrit Lertsitthikun, paralajmëroi se procedurat e tilla mbartin rrezik të lartë infeksioni dhe dëmtimi të përhershëm të funksionit seksual, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e mashtrimeve në rrjete sociale.
Ky nuk është rasti i parë i tillë në Tajlandë. Vitin e kaluar, një tjetër mashtrues ishte arrestuar pasi kishte kryer ndërhyrje të ngjashme për 20 vite pa asnjë licencë mjekësore, duke dëmtuar qindra persona me procedura të rrezikshme.