
Inspektor i Policisë Kufitare në Pogradec u ndalua në flagrancë pasi drejtonte automjetin në gjendje të dehur, duke shkaktuar një aksident me pesë mjete të parkuara në rrugën Rinia.
Një inspektor policie në Pogradec është arrestuar mbrëmjen e djeshme nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pasi u përfshi në një aksident rrugor ku u dëmtuan pesë automjete të parkuara. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:30 në rrugën Rinia të qytetit.
Sipas njoftimit zyrtar të AMP, punonjësi i policisë D. O., me detyrë në Stacionin e Policisë Kufitare Pogradec, u ndalua pas testimit me aparat matës të alkoolit, ku rezultoi pozitiv me përqindje 1.36 mg/l dhe 1.33 mg/l.
Ai akuzohet për drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt, ndërsa materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thekson se mbetet e vendosur për të garantuar zbatimin e ligjit dhe për të ndëshkuar çdo shkelje të uniformave blu. Ajo u bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast abuzimi apo sjelljeje të papërshtatshme nga punonjësit e policisë, përmes linjës telefonike falas 0800 9090, aplikacionit Agjencia Digjitale ose adresës elektronike ankesa@amp.gov.al.