
Video të publikuara nga Ministria e Jashtme izraelite tregojnë dhunë ekstreme ndaj palestinezëve në rrugët e Gazës, teksa Izraeli akuzon Hamasin për tortura, ekzekutime dhe përpjekje për të rivendosur frikën në popullsi.
Pamje tronditëse janë bërë publike nga Gaza, ku shihen militantë të armatosur, të maskuar, duke torturuar dhe qëlluar civilë palestinezë. Videot, të publikuara nga Ministria e Jashtme izraelite, pretendojnë të tregojnë grupe të Hamasit që thyejnë këmbët e burrave me shufra hekuri dhe i qëllojnë në gjunjë, si pjesë e një fushate frikësimi për të rimarrë kontrollin mbi territorin pas zbatimit të armëpushimit me Izraelin.
Në njërën nga pamjet, dy burra të lidhur zvarriten nëpër rrugë nga militantë të maskuar dhe më pas rrihen egërsisht me shufra hekuri. Njëri prej tyre, me një thes të zi në kokë, përpiqet të mbrohet ndërsa ushtrohet dhunë brutale ndaj tij. Pasi bie përtokë, ai qëllohet disa herë në gjunjë, ndërsa njëri nga agresorët i shtyp kokën në tokë.
Në një tjetër video, një i ri pa këmishë, me duar të lidhura, tërhiqet nga dy persona përmes turmës dhe më pas qëllohet në trup dhe këmbë me mjete të forta. Sipas burimeve izraelite, bëhet fjalë për civilë palestinezë të akuzuar nga Hamasi si bashkëpunëtorë ose si persona që kanë kundërshtuar urdhrat e grupit.
Videot janë publikuar vetëm disa ditë pasi në rrjete sociale qarkulluan pamje të tjera, ku disa burra palestinezë u pushkatuan në publik nga militantë me shami të gjelbra. Në sfond dëgjoheshin brohoritje “Allahu Akbar”, ndërsa viktimat quheshintradhëtarë. Një burim i Hamasit e konfirmoi autenticitetin e videos, duke shkaktuar valë reagimesh ndërkombëtare.
Ngjarjet ndodhin në një moment të brishtë për Gazën, pas marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga Presidenti amerikan Donald Tramp, e cila u thye pak ditë më parë pas një sërë përplasjesh. Izraeli reagoi me bombardime, duke ndaluar përkohësisht ndihmat humanitare, ndërsa më pas i rifilloi furnizimet me kushte të rrepta.
Sipas Kombeve të Bashkuara, situata humanitare mbetet dramatike. Vetëm dy pika kalimi; Kerem Shalom dhe Kissufim, janë funksionale, duke kufizuar furnizimet me ushqime dhe ilaçe në rreth 750 tonë në ditë, shumë më pak se nevojat reale të mbi 2 milionë banorëve të enklavës.
Zëdhënësja e Programit Botëror të Ushqimit, Abeer Etefa, deklaroi se shumë familje në Gaza po ruajnë ushqimin nga frika se ndihmat mund të ndërpriten sërish në çdo moment.
Ndërkohë, Izraeli ka kërkuar që Gaza të demilitarizohet plotësisht, duke e cilësuar dhunën e Hamasit kundër civilëve si provë se grupi militant po terrorizon popullin e vet për të mbajtur pushtetin me forcë.