Aktualitet Bota Rajoni

Çmimi që ndezi Podgoricën me protesta, gaz lotsjellës dhe akuza për fashizëm

Më 8 korrik, qindra qytetarë u përplasën me forcat e policisë në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, gjatë një proteste të tensionuar kundër dhënies së çmimit shtetëror “13 Korriku” shkrimtarit Beqir Vukoviq, një figurë kontroverse për qëndrimet e tij kundër kombit malazez dhe mbështetjen për lëvizjen çetnike.

Protestuesit u mblodhën para vilës shtetërore Gorica, ku po zhvillohej ceremonia e ndarjes së çmimeve. Policia përdori spraj me piper dhe mjete të tjera kimike për të ndaluar turmën që tentoi të çante kordonin dhe të hynte në ambientet e pritjes. Demonstruesit reaguan duke hedhur vezë dhe gurë ndaj forcave të rendit, ndërsa brohoritjet “Fashistë!”, “Tradhti!” dhe “Jo fashizmit!” jehonin në rrugët e Podgoricës.

Regjisori Danillo Marunoviq, një nga organizatorët kryesorë të protestës, deklaroi se protesta nuk do të ndalet me kaq. “Sonte, policia jonë na trajtoi brutalisht, si kriminelët më të këqij. Kjo nuk mund të mbarojë sonte” – tha ai para turmës.

Sipas policisë, protesta ishte e paautorizuar dhe e organizuar nga grupi qytetar “STEGA”. Autoritetet raportuan se një efektiv policie u lëndua gjatë përleshjeve dhe paralajmëruan ndjekje penale për autorët e dhunës.

Disa protestues, përfshirë dekanin e Fakultetit të Gjuhës dhe Letërsisë Malazeze, Aleksandar Radoman, përfunduan në spital për shkak të problemeve me frymëmarrjen nga spreji me piper. Fakulteti i tij i ka dërguar një letër ambasadorëve të BE-së, SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke denoncuar përdorimin e tepruar të forcës nga policia.

Çmimi “13 Korriku”, që ndahet për nder të Ditës së Shtetësisë së Malit të Zi dhe simbolizon trashëgiminë antifashiste të vendit, iu dha Beqir Vukoviqit dhe grafistit Velo Stanishiq. Kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, i dorëzoi çmimet, duke deklaruar se “veprimet dhe sukseset e tyre janë simbol i asaj që duhet të jetë ‘13 Korriku’ në shekullin 21”.

Por për shumë qytetarë, dhënia e këtij çmimi Vukoviqit është një fyerje ndaj vlerave antifashiste. Vukoviq ka lavdëruar publikisht Drazha Mihailoviqin, udhëheqësin çetnik të Luftës së Dytë Botërore, dhe ka mohuar ekzistencën e kombit malazez, duke e quajtur atë një shpikje të Kominternit.

Kitaristi i njohur klasik Millosh Karadaglliq, një nga tre fituesit e çmimit, refuzoi ta pranonte atë, duke u distancuar nga ceremonia dhe vendimi i autoriteteve.

Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), tani në opozitë, e dënoi ashpër dhunën policore, duke e quajtur “pikën më të ulët” të institucioneve shtetërore. “Do të kalojë edhe kjo kohë e errët, por do të mbahet mend kush ishte shërbëtor i Mandiqit dhe kush mbrojti Malin e Zi qytetar dhe modern,” thuhet në deklaratën e partisë.

Kryengritja antifashiste në Mal të Zi nisi më 13 korrik 1941, dhe kjo datë është kthyer në simbol të rezistencës dhe identitetit kombëtar. Për shumë qytetarë, dhënia e çmimit një mbështetësi të çetnikëve përfaqëson një devijim të rrezikshëm nga këto vlera.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *