
Komisionerja për të Drejtat e Fëmijëve në Rusi, Maria Lvova-Belova, e kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte, ka rrëfyer hapur se mori një djalë 15-vjeçar nga Mariupoli dhe e “riedukoi” që të ndiente dashuri për Rusinë.
Maria Lvova-Belova, Komisionerja për të Drejtat e Fëmijëve në Rusi dhe një nga personat më të kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për rrëmbimin e fëmijëve ukrainas, ka shkaktuar tronditje me një intervistë të fundit ku pranon publikisht aktin për të cilin është nën akuzë.
Në një emision televiziv në Moskë, Lvova-Belova tregoi se kishte “marrë në kujdes” një djalë 15-vjeçar nga Mariupoli, qyteti ukrainas që Rusia e pushtoi dhe e shkatërroi në fazat e para të luftës. Ajo pranoi se djali, i quajtur Filip, nuk donte të shkonte në Rusi dhe se e urrente Moskën, por shtoi se me kalimin e kohës arriti ta “riedukonte”.
“Sapo e sollëm në familje, ai thoshte se donte të kthehej në Ukrainë, këndonte këngë ukrainase dhe lexonte lajme pro-ukrainase. I thashë ‘jemi popuj vëllazërorë, pse më provokon?’. Me durim, pak nga pak, ndryshoi,” rrëfeu ajo.
Në mars 2023, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër arresti për Lvova-Belovën dhe për Presidentin rus Vladimir Putin, duke i akuzuar për deportimin e paligjshëm të fëmijëve nga territoret e pushtuara ukrainase në Rusi.
Megjithatë, në intervistë, Lvova-Belova e minimizoi këtë fakt, duke ironizuar akuzat: “Ata shpikin mite, sikur ne rrëmbejmë fëmijë dhe i riedukojmë me patriotizëm rus. Në të vërtetë, unë thjesht e mora një fëmijë që kishte nevojë për ndihmë.”
Ajo pranoi se rasti i Filipit ishte një nga arsyet kryesore që çuan në urdhrin e Hagës kundër saj, duke shtuar se “kështu e quajnë ata rrëmbim — unë them se e mora në familje.”
Sipas të dhënave të vetë Lvova-Belovës, Rusia ka marrë rreth 20 mijë fëmijë nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit në vitin 2022. Qeveria ukrainase, përmes platformës “Fëmijët e Luftës”, ka konfirmuar rrëmbimin e të paktën 19,500 fëmijëve dhe rikthimin e vetëm rreth 1,200 prej tyre.
Rasti i Filipit është bërë simbol i politikës së deportimit dhe asimilimit që Kievi e cilëson “gjenocid kulturor” ndaj brezit të ri ukrainas, ndërsa Perëndimi e sheh si një nga krimet më të rënda të regjimit të Kremlinit në luftën kundër Ukrainës.
Lvova-Belova mbetet në listën e zezë të sanksioneve ndërkombëtare dhe është gruaja e dytë në histori që përballet me një urdhër arresti nga Gjykata e Hagës për krime lufte.