
Pas publikimit të videove me ish-banoren e Big Brother VIP, Loredana Brati, Davidi që u bë i njohur për incidentin në Bashkinë e Vlorës reagon me pendesë, duke mohuar çdo lidhje dhe kërkuar ndjesë publike.
David Dano, i riu që u bë i njohur disa muaj më parë pas incidentit në Bashkinë e Vlorës, ku theu derën për të kërkuar të drejtën e tij, është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes publike, këtë herë për një histori që përfshin ish-banoren e Big Brother VIP Albania, Loredana Brati.
Gjithçka nisi pas një videoje të postuar në rrjetet sociale, ku Dano shihej duke përqafuar dhe puthur ish-banoren, gjë që ngjalli reagime të menjëhershme dhe keqkuptime mbi natyrën e marrëdhënies së tyre.
Loredana reagoi shpejt përmes një postimi në Instagram, duke mohuar çdo lidhje personale me të riun dhe duke sqaruar se takimi kishte qenë rastësor. Ajo theksoi se nuk do të lejonte askënd të përdorte emrin e saj për qëllime mediatike.
“Mjaft është mjaft. Jam një vajzë me dinjitet dhe nuk do të lejoj askënd të përpiqet të njollosë emrin tim,” shkroi Brati, duke publikuar edhe mesazhe që Dano i kishte dërguar më parë, ku shprehte hapur admirimin dhe simpatinë për të.
Në një nga mesazhet e tij, Dano shkruante: “Të dua, të kam ndjekur çdo ditë. Kam qeshur me shakatë e tua dhe jam mërzitur kur ti ishe e mërzitur.”
Pas reagimit të fortë të Loredanës, i riu publikoi një video të re në të cilën kërkoi falje publike, duke sqaruar se gjithçka kishte qenë një keqkuptim.
“I kërkoj shumë falje Loredana Bratit. Nuk kisha asnjë qëllim tjetër përveçse si një fans i saj. E respektoj dhe nuk dua që emri im të lidhet me ndonjë histori dashurie që nuk ekziston,” deklaroi ai.
Ngjarja ka bërë bujë në rrjetet sociale, duke rikthyer në vëmendje figurën e David Danos, dikur simbol i revoltës qytetare në Vlorë, e sot pjesë e një tjetër debati publik që përfshin emra të njohur të showbizit shqiptar.