
Deputeti i sapozgjedhur i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka lëshuar akuza të drejtpërdrejta ndaj kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, duke e akuzuar për mungesë transparence në deklarimin e pasurisë dhe për fshehjen e periudhës së punës para viteve ’90.
“Po t’i referohesh CV-së së Sokol Sadushit në Gjykatën e Lartë, ose atij shallit të pionierit, që për mua janë simbole të komunizmit, një gjyqtar i tillë nuk mund të ishte kryetar i Gjykatës së Lartë. Në CV ai shkruan se ka qenë ish-prokuror, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, lektor, avokat, drejtor i Shkollës së Magjistraturës, por e fillon nga viti 1991 dhe nuk jep periudhën para ’90-s. Të tregojë ku ka punuar prokuror. Ish-prokurorët dhe hetuesit e para viteve ’90 nuk duhej të ishin sot në sistem,” deklaroi Gjoni në një intervistë për Syri TV.Deputeti demokrat akuzoi gjithashtu se pasuria e Sokol Sadushit “nuk është bërë kurrë publike” dhe se “nuk i jepet as medias, as gazetarëve dhe askujt tjetër”. Ai theksoi se Këshilli i Lartë Gjyqësor “as nuk merr mundimin ta thërrasë për sqarime”.