
Drejtoresha e AMF, Mimoza Kaçi, deklaroi në Kuvend se sistemi i ri i sigurimeve do të shpërblejë drejtuesit korrektë dhe do të ndëshkojë ata me histori dëmesh.
Sistemi i ri bonus–malus në sigurimet e detyrueshme të automjeteve do të zbatohet në Shqipëri duke nisur nga 1 janari 2026. Lajmin e bëri të ditur drejtoresha e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Mimoza Kaçi, gjatë raportimit të saj në Kuvend, ku theksoi se qëllimi është të krijohet një sistem më i drejtë dhe motivues për drejtuesit e mjeteve.
Sipas Kaçit, rreth 3,8% e drejtuesve që kanë shkaktuar dëme gjatë viteve të fundit do të penalizohen në pagesën e sigurimeve, ndërsa 96% e shoferëve që nuk kanë pasur aksidente do të përfitojnë ulje të çmimeve përmes bonuseve.
Sistemi do të funksionojë sipas diapazonëve të përcaktuara në rregullore dhe do të shërbejë si nxitje për drejtim më të kujdesshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e aksidenteve dhe dëmeve të sigurueshme, deklaroi Kaçi.
Ajo nënvizoi se megjithëse Shqipëria ka ende një frekuencë të lartë dëmesh, performanca e pagesave dhe përgjegjshmëria e kompanive të sigurimeve janë përmirësuar ndjeshëm.
Në raportin e saj vjetor, drejtoresha e AMF theksoi gjithashtu se tregjet financiare shqiptare po shënojnë rritje të qëndrueshme, me një zgjerim të ndjeshëm të aktiveve, të cilat kanë arritur në 131 miliardë lekë, ose 17% më shumë se një vit më parë.
Në tregun e sigurimeve, primatet e shkruara bruto janë rritur në 25 miliardë lekë, ndërsa dëmet e paguara janë shtuar me 24,3%, çka tregon një funksionim më korrekt të tregut dhe një mbrojtje më efektive për konsumatorët.
Kaçi theksoi gjithashtu se AMF ka përmbyllur një cikël 5-vjeçar reformash ligjore që e përafrojnë kuadrin shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, ndërsa Komisioni Evropian ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në Kapitullin 9 për Shërbimet Financiare.
Në mbyllje, ajo shtoi se Shqipëria do të presë për herë të parë në Ballkan Konferencën Vjetore të IAIS në vitin 2025, një arritje që sipas saj vulos rolin e ri të vendit në fushën e mbikëqyrjes financiare në rajon.
Me hyrjen në fuqi të sistemit bonus–malus, pritet që viti 2026 të sjellë ndryshimin më të madh në historinë e sigurimeve shqiptare, ku çdo shofer do të paguajë sipas historikut të vet në rrugë.