
Forcat amerikane kanë goditur një anije të dytë që dyshohet se po transportonte drogë në Oqeanin Paqësor, si pjesë e një fushate në rritje të SHBA-së kundër kontrabandës detare të drogës.Sipas Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, tre persona u vranë në sulmin e së mërkurës, ndërsa asnjë efektiv amerikan nuk është lënduar..
Ky incident ndodhi vetëm një ditë pasi SHBA-të goditën një tjetër anije në Paqësor, duke vrarë dy persona.
“Të dyja anijet besohet se transportonin drogë përgjatë rrugëve të njohura të trafikimit në ujërat ndërkombëtare”, deklaroi Hegseth.
Në një postim në platformën X, Hegseth shkroi:“Sot, me urdhër të Presidentit Trump, Departamenti i Luftës kreu një tjetër sulm kinetik vdekjeprurës ndaj një anijeje të operuar nga një Organizatë e Caktuar Terroriste. Këto sulme do të vazhdojnë ditë pas dite. Këta nuk janë thjesht trafikantë droge – janë narko-terroristë që sjellin vdekje dhe shkatërrim në qytetet tona.”
Postimi u shoqërua me një video dramatike ku duket një varkë që merr flakë pas goditjes nga një bombë amerikane, ndërsa më vonë duken objekte që notojnë në ujë dhe më pas shënjestrohen nga një sulm i dytë ajror.Presidenti Donald Trump ka deklaruar se ka autoritetin ligjor për të vazhduar bombardimet ndaj anijeve në ujëra ndërkombëtare, por se mund t’i drejtohet Kongresit në rast se operacionet do të shtrihen në tokë.“Na lejohet ta bëjmë këtë, dhe nëse e bëjmë nga toka, mund të shkojmë në Kongres,” tha Trump në Zyrën Ovale.Ai shtoi se administrata e tij është “plotësisht e përgatitur” për të zgjeruar operacionet kundër drogës në territor.