
Policia ka identifikuar dhe vënë në pranga katër persona të dyshuar për përfshirje në ngjarjen e rëndë që tronditi Durrësin, ku mbetën të vrarë Flori Paluçi dhe Aranit Kurti.
Pas hetimeve intensive, policia ka publikuar emrat e katër të arrestuarve në lidhje me vrasjen e dyfishtë të ndodhur në Manzë të Durrësit. Bëhet fjalë për shtetasit Erald Cani, Ergi Kadiu, Taulant Beqja dhe Emirjan Beqja, të cilët dyshohet se kanë pasur rol aktiv në konfliktin që çoi në ekzekutimin e dy personave mëngjesin e së martës.
Ngjarja ndodhi pas një sherri të nisur për një kafe në një lokal të zonës, ku Flori Paluçi, i njohur me të shkuar kriminale, qëlloi me armë dhe vrau 23-vjeçarin Aranit Kurti. Vetëm pak minuta më vonë, kushëriri i këtij të fundit, Daniel Pepa, mbërriti në vendngjarje dhe në shenjë hakmarrjeje ekzekutoi Paluçin me disa plumba.
Hetimet kanë zbuluar se të arrestuarit ndodheshin në afërsi të lokalit dhe dyshohet se kanë ndihmuar autorët gjatë apo pas krimit. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për “moskallëzim krimi”, “armëmbajtje pa leje” dhe “ndihmë për autorin e vrasjes”.
Prokuroria e Durrësit ka urdhëruar kontrollin e disa banesave dhe po vijon hetimet për të përcaktuar rolin e saktë të secilit të përfshirë, ndërsa në terren janë sekuestruar pamje filmike që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.
Policia ka shtuar prezencën në zonën e Manzës, pasi ngjarja ka shkaktuar tensione dhe frikë për rikthim të mundshëm të konflikteve mes grupeve lokale.