
Rreth 2 mijë monedha ari dhe argjendi janë vjedhur nga muzeu i filozofit francez Denis Diderot, vetëm disa ditë pas grabitjes spektakolare në Luvër, që tronditi Parisin.
Franca po përballet me një seri grabitjesh të njëpasnjëshme në muzetë e saj më të njohur, që kanë vënë në alarm autoritetet dhe institucionet e ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Pas grabitjes së bujshme në Muzeun e Luvrit më 19 tetor, hajdutët kanë goditur sërish, këtë herë në muzeun kushtuar Denis Diderot në Landres, duke vjedhur rreth 2 mijë monedha ari dhe argjendi me vlerë të konsiderueshme historike.
Sipas mediave franceze, autoritetet po hetojnë nëse ky sulm lidhet me serinë e grabitjeve të tjera të ndodhura muajt e fundit në Muzeun Jacques Chirac në Sarran, Muzeun Kombëtar Adrien Dubouché në Limoges dhe Muzeun e Historisë Natyrore në Paris. Deri më tani nuk ka prova që konfirmojnë një grup të vetëm pas këtyre ngjarjeve, por mënyra e veprimit tregon për një rrjet të organizuar me njohuri të avancuara mbi sigurinë muzeale.
Vetëm pak ditë më parë, në Luvër, katër persona me maska përdorën një shkallë mekanike për të hyrë në një nga sallat kryesore të Galerisë d’Apollon, ku thyen vitrinat dhe vodhën tetë bizhuteri mbretërore të epokës së Napoleonit, me vlerë që i kalon 100 milionë dollarët.
Ekspertët e artit kanë paralajmëruar se këto grabitje, edhe pse spektakolare, janë pothuajse të pamundura për t’u përfituar ekonomikisht. “Vlera e vërtetë e këtyre objekteve qëndron në historinë e tyre, jo në tregun e zi”, ka theksuar një ekspert francez, duke shtuar se “vështirësia më e madhe nuk është vjedhja, por shitja”.
Muzeu i Denis Diderot, ashtu si shumë institucione të tjera kulturore në Francë, ndodhet në një ndërtesë historike të shekullit XVI, ku sistemet e sigurisë janë të kufizuara. Autoritetet kanë nisur një plan emergjent për forcimin e masave mbrojtëse në muzetë rajonalë dhe kombëtarë, për të parandaluar që vala e grabitjeve të shndërrohet në një krizë kombëtare të trashëgimisë kulturore franceze.