
Një komunikim i brendshëm zbulon se persona të paautorizuar kanë pasur akses në arkivat e Kadastrës së Durrësit, duke manipuluar dokumente të pronave ndërsa institucionet heshtin.
Një skandal i rëndë po trondit institucionet e administratës shqiptare. Një email i brendshëm i dërguar në fund të janarit 2023 nga një zyrtar i Kadastrës së Durrësit drejt Drejtorisë së Përgjithshme në Tiranë zbulon përfshirjen e personave të paautorizuar në arkivat e institucionit dhe manipulimin e dokumenteve të pronave.
Në komunikim kërkohet ndërhyrje e menjëhershme për të shmangur përsëritjen e shkatërrimit të dokumentacionit me ose pa dashje, ndërsa theksohet se individë që nuk janë punonjës zyrtarë të Kadastrës kanë pasur hyrje të lirë në zyrat dhe arkivën e institucionit.
Sipas raportimit të brendshëm, situata ishte bërë alarmante: personel i paidentifikuar kryente shërbime për specialistët e zyrave të pasurive të paluajtshme, ndërsa një pjesë e arkivës ndodhej e shpërndarë në kuti dhe ambiente jo të sigurta. Kjo krijoi terren për ndërhyrje, manipulime dhe zhdukje të mundshme dokumentesh, duke u hapur rrugën abuzimeve të mëvonshme me pronat e qytetarëve të Durrësit.
Në relacionin e ish-drejtoreshës vendore Xheni Agolli, datë 23 janar 2023, konfirmohet se dokumentet e protokollit ishin lëvizur nga ambientet e vjetra drejt një hapësire të përkohshme, pa sistemim dhe pa kushte sigurie, duke u bërë praktikisht të pambrojtura ndaj ndërhyrjeve të paligjshme.
Burime nga hetimet e SPAK kanë deklaruar se të dhënat për këtë rast po shqyrtohen si pjesë e një dosjeje më të gjerë që përfshin lidhje mes zyrtarëve lokalë dhe grupeve kriminale të përfshira në tjetërsime pronash në zonën bregdetare.
Ky episod tronditës konfirmon dështimin e strukturave shtetërore për të mbrojtur dokumentet themelore të pronësisë në një nga qytetet më të rëndësishme të vendit, duke ngritur dyshime serioze mbi rolin e institucioneve përgjegjëse që kanë mbyllur sytë përballë abuzimeve sistematike.