Valon Lluka reagon ashpër ndaj deklaratave të Behgjet Pacollit, duke i quajtur akuzat e tij të pavërteta dhe të pabazuara. Ai njofton se ka dorëzuar dokumente zyrtare në Prokurorinë e Tiranës dhe se do të kërkojë drejtësi në gjykatë.
Një tjetër debat i ashpër ka shpërthyer lidhur me çështjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Ish-bashkëpunëtori i biznesmenit Behgjet Pacolli, Valon Lluka, ka reaguar publikisht pas deklaratave të fundit të Pacollit, ku emri i tij është përmendur drejtpërdrejt.
Në reagimin e tij, Lluka e cilëson komunikimin e Pacollit si një sërë akuzash të pavërteta, pa asnjë bazë faktike apo ligjore. Ai thekson se të gjitha veprimet që lidhen me transaksionet e aeroportit janë kryer në mënyrë të ligjshme dhe të dokumentuar.
Sipas tij, ekzistojnë dokumente të noterizuara me apostil ndërkombëtar, përfshirë vendime të aksionarëve dhe autorizime të firmosura nga vetë Pacolli dhe kompania “Mabco Construction SA”, me seli në Lugano, që është pronare ligjore e aksioneve. “Çdo procedurë është e provuar përmes dokumenteve dhe transfertave bankare të depozituara tashmë në Prokurorinë e Tiranës,” – shprehet Lluka.
Ai shton se akuzat publike të bëra ndaj tij kanë dëmtuar rëndë reputacionin dhe integritetin e tij profesional, ndaj ka vendosur të ndërmarrë hapa ligjorë. “Do të padis z. Pacolli për shpifje dhe dëmtim imazhi. Kam dorëzuar të gjitha provat dhe komunikimet përkatëse që vërtetojnë të kundërtën e pretendimeve të tij,” – thuhet në deklaratë.
Lluka përfundon duke theksuar se beson te drejtësia dhe se opinioni publik do të njihet me faktet reale të çështjes. Përplasja mes dy ish-bashkëpunëtorëve pritet të kalojë tani në gjykatë, duke hapur një tjetër kapitull në sagën e gjatë të polemikave rreth ndërtimit dhe pronësisë së aeroportit të Vlorës.
