Pas disa muajsh hetime, Prokuroria e Posaçme përfundon dosjen ndaj kreut të bashkisë së Vaut të Dejës, i akuzuar për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe përfshirje në blerje votash në favor të Partisë Socialdemokrate.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim në GJKKO kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Kristjan Shkreli. Hetimi ndaj tij nisi pas dyshimeve se kishte ndikuar në blerjen e votave gjatë zgjedhjeve lokale, në mbështetje të Partisë Socialdemokrate.
SPAK ka ngritur ndaj Shkrelit akuzën për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, ndërsa bashkë me të janë hetuar edhe tre persona të tjerë të përfshirë në çështje. Procesi gjyqësor do të shqyrtohet nga gjyqtarja Flora Hajredinaj.
Sipas burimeve nga organi i akuzës, Shkreli dyshohet se ka përdorur fonde dhe ndikim politik për të siguruar mbështetje elektorale në zonën e Vaut të Dejës. Vendimi i SPAK për dërgimin e dosjes në gjykim konsiderohet si një tjetër hap në luftën kundër korrupsionit zgjedhor, që mbetet një plagë e përsëritur në proceset elektorale shqiptare.
