Pas viteve të jetës së shfrenuar dhe imazheve luksoze në rrjet, Erik Fullani tregon se si një histori dashurie i ka ndryshuar mënyrën e të jetuarit dhe mënyrën si e sheh veten sot.
Dikur një nga emrat më të përfolur për jetën e tij luksoze dhe videot provokuese në rrjete sociale, Erik Fullani sot është kthyer në një njeri më të matur e më të përqendruar te jeta personale. I ftuar në emisionin “Me Mira Kazhanin”, ai ka folur për periudhat e keqkuptuara të së shkuarës dhe për mënyrën si dashuria i ka sjellë një ekuilibër të ri.
Fullani kujtoi periudhën kur u bë viral me videon ku fshinte djersët me 500 euro, duke sqaruar se gjithçka ishte një shaka që mori përmasa të mëdha. “Në atë kohë, gjithçka u kthye në një furtunë mediatike. U përdor për të goditur babain tim, që ishte guvernator i Bankës së Shqipërisë. Unë u bëra thjesht një mjet për të goditur dikë tjetër. Sot e shoh ndryshe, me më shumë qetësi”, tregoi ai.
Ai shtoi se në atë periudhë nuk e kishte të lehtë të përballonte gjykimin publik. “Zgjoheshe në mëngjes dhe shikoje lajme plot me fjalë që s’kishin lidhje me realitetin. Ishte një periudhë e ngarkuar, por më mësoi shumë për njerëzit dhe për veten time.”
Por sot, Eriku është shumë larg asaj figure që rrjetet krijuan dikur. Në intervistën e fundit ai foli me sinqeritet për lidhjen e tij me blogeren Sara Hoxha, duke e quajtur një ndjenjë që i ka sjellë qetësi dhe motiv për të ardhmen. “Jam shumë i dashuruar. Kam menduar çdo detaj për ceremoninë, madje edhe vendin ku do të ndodhë,” tha ai me buzëqeshje.
Ndërkohë, historia e tij me Sarën ka tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendje në rrjetet sociale. Dyshja janë parë shpesh bashkë në evente publike dhe në dalje private, duke konfirmuar se lidhja e tyre është bërë gjithnjë e më e fortë.
Nga djali që dikur sfidonte opinionin publik me luksin e tepruar, sot Erik Fullani po tregon një anë tjetër të vetes, një njeri që kërkon dashurinë, stabilitetin dhe qetësinë që dikur i mungonte.
