Pas pesë ditësh luftë me jetën në spital, vajza e vogël e familjes Hazisllari nuk ia doli dot, duke e thelluar edhe më shumë dhimbjen e komunitetit në Maliq.
Tragjedia që tronditi Maliqin më 19 tetor ka marrë përmasa edhe më të rënda. Pas nënës Merjeme Azisllari dhe djalit 14-vjeçar, Lukës, sot ka ndërruar jetë edhe vogëlushja 6-vjeçare, Nefeli Hazisllari. Ajo po trajtohej në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku mjekët luftuan për ditë të tëra për t’i shpëtuar jetën, por djegiet e rënda nuk i lanë asnjë mundësi.
Zjarri fatal shpërtheu në banesën e familjes Hazisllari në orët e mbrëmjes dhe përfshiu gjithë shtëpinë brenda pak minutash. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se shkaku ka qenë një sobë me dru, që mori flakë për shkak të mbinxehjes.
Fillimisht, e vogla kishte arritur të shpëtonte, pasi u hodh nga dritarja dhe u ndihmua nga një fqinje që kishte dëgjuar thirrjet për ndihmë. Por dëmtimet e shkaktuara nga zjarri rezultuan fatale disa ditë më vonë.
Banorët e lagjes shprehen të tronditur dhe theksojnë se familja jetonte në kushte të vështira ekonomike, ndërsa të dy fëmijët vuanin nga autizmi. “Ishin njerëz të mirë, por në hall të madh. Zoti i pastë në parajsë,” thotë një prej fqinjëve mes lotësh.
Ngjarja e Maliqit ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer në vëmendje mungesën e mbështetjes për familjet në nevojë dhe kushtet e rrezikshme në të cilat jetojnë shumë prej tyre. Sot, Maliqi është mbuluar nga heshtja e dhimbjes për tre jetë të humbura në të njëjtën familje.
