Pas dritave verbuese të rrokaqiejve dhe luksit të tejskajshëm, fshihet një Hong Kong tjetër, ai i njerëzve që jetojnë në hapësira sa një arkivol, të ndarë me rrjeta metalike dhe shpresën për një jetë më dinjitoze.
Hong Kong, një nga qendrat më të pasura financiare në botë, është gjithashtu shtëpia e një prej realiteteve më tronditëse sociale. Sipas të dhënave të organizatës “Society for Community Organisation”, rreth 200 mijë njerëz, mes tyre 40 mijë fëmijë, jetojnë në kushte të padenja, në banesa që nuk kalojnë në disa raste as një metër katror. Këto “shtëpi-kafaze” apo “kabina-arkivol” janë dhoma të ndërtuara me rrjeta hekuri, ku banorët nuk kanë hapësirë as të qëndrojnë në këmbë.
Në një qytet me 7.5 milionë banorë dhe çmimet më të larta të banesave në botë, mijëra njerëz janë shtyrë drejt këtyre hapësirave të paligjshme. Apartamente 37 metra katrorë ndahen në 15 apo 20 pjesë, dhe çdo krevat kushton rreth 200 dollarë hongkongas në muaj, afro 22 euro. Brenda këtij realiteti, ku kuzhina dhe tualeti janë një, jeta zhvillohet mes dyshekëve, ventilatorëve të ndryshkur dhe një dritareje të vetme që nuk hapet kurrë.
Fotografi Benny Lam, që ka dokumentuar për katër vjet këto kushte në serinë “Trapped” (Të bllokuar), tregon se shpesh është ndjerë i thyer emocionalisht pas vizitave. “Një ditë, pasi pashë një burrë që nuk mund të zgjaste as këmbët në krevatin e tij, qava. Ai hante fasule të konservuara e shikonte një televizor të vogël ku kalonte një ylber. Ishte momenti më i dhimbshëm që kam përjetuar,” rrëfen ai.
Lam shprehet se shumë nga këta njerëz janë punëtorë të zakonshëm, kamarierë, pastrues, roje, shpërndarës, që mbajnë gjallë ekonominë e qytetit, por vetë jetojnë në errësirë. “E vetmja gjë që na dallon prej tyre është shtëpia,” shkruan ai. “Kjo është çështje dinjiteti njerëzor.”
Fotot e tij, që kanë bërë xhiron e botës, janë një apel për ndërgjegjësim ndaj pabarazisë dhe krizës së strehimit në një qytet që ka ndërtuar qiellgërvishtëse, por ka harruar njerëzit që jetojnë nën to. Për shumë prej tyre, ëndrra e Hong Kongut ka mbetur e mbyllur brenda një kafazi metalik, në pritje të një dere që ende nuk hapet.
