Hetimi ndërkombëtar zbulon se agjentë hungarezë të infiltruar si diplomatë në Bruksel kanë mbledhur informacion brenda institucioneve të BE, duke tentuar të rekrutojnë zyrtarë dhe të sigurojnë dokumente të brendshme për interesat politike të qeverisë Orbán.
Për vite me radhë, Hungaria nën drejtimin e Viktor Orbán ka mbajtur një rrjet të strukturuar informatorësh dhe agjentësh në Bruksel me qëllim mbledhjen e informacionit nga brenda Bashkimit Europian. Sipas një hetimi të kryer nga portali investigativ hungarez Direkt36 në bashkëpunim me media partnere në Belgjikë, Gjermani dhe Austri, agjentë të shërbimit sekret të jashtëm hungarez (IH) janë prezantuar si diplomatë pranë Përfaqësisë së Përhershme të Hungarisë në BE dhe kanë tentuar të rekrutojnë zyrtarë që punojnë në institucionet europiane.
Skenari përshkruhet kështu: diplomatë hungarezë, të cilët në dukje merreshin me çështje të zakonshme politike dhe teknike, ftonin rregullisht për takim në parqe dhe kafene zyrtarë hungarezë që punonin në Komisionin Europian apo institucione të tjera të BE. Aty, pas bisedave miqësore, fillonin kërkesat e drejtpërdrejta për informacione konfidenciale, dokumente të brendshme dhe madje tentativat për t’i rekrutuar si bashkëpunëtorë sekretë.
Një prej këtyre diplomatëve, i identifikuar si V., nuk kufizohej më vetëm te thashethemet institucionale. Ai u kishte kërkuar disa nëpunësve të Komisionit Europian të firmosnin dokumente bashkëpunimi me shërbimet sekrete hungareze. Në disa raste, sipas burimeve të cituara, ai ofronte jo para për përdorim personal, por financime për organizata të lidhura me personin që po synonte të rekrutohej. Pra, jo “më paguaj mua”, por “do të financojmë projektin tënd, vetëm na ndihmo”.
Në disa raste të tjera, taktika ishte apeli emocional: jemi të dy hungarezë, po punojmë për të njëjtën kauzë kombëtare. Në thelb, retorikë patriotike për të legjitimuar dorëzimin e informacionit të brendshëm të BE tek qeveria e Budapestit.
Autoritetet europiane dhe belge, sipas hetimit, kanë qenë të informuara për këtë aktivitet që nga viti 2017. Pikërisht atëherë, V. thuhet se u ekspozua, duke nxjerrë zbuluar jo vetëm veten, por një pjesë të tërë rrjetit. Burime nga brenda strukturave të sigurisë europiane thonë se ai kishte vepruar aq hapur dhe me aq pak kujdes, duke tentuar të rekrutojë njerëz pothuaj “në dritë të diellit”, sa u bë i dukshëm për të gjithë. Pas kësaj, rrjeti i vjetër i inteligjencës hungareze në Bruksel, sipas burimeve, u desh të rindërtohej nga e para.
Zyrtarë të Komisionit Europian që u qasën nga këta diplomatë rrëfejnë se presioni nuk ishte vetëm për informacione, por edhe për ndikim. Disa prej tyre thonë se përfaqësues hungarezë nën mbulesë diplomatike kërkonin të ndikonin në përmbajtjen e raporteve të Komisionit ndaj Budapestit: hiqeni këtë frazë, zbuteni këtë kritikë, mos përmendni këtë shkelje. Në thelb, jo vetëm mbledhje informacioni, por përpjekje për të shtyrë BE të flasë me gjuhën e qeverisë Orbán.
Sipas hetimit, objektivi kryesor nuk ishte vetëm të dihej se çfarë po përgatitej në Bruksel, por të sigurohej që Budapesti të merrte njoftim paraprak për çdo veprim të BE që mund të prekte interesat e Orbánit: hetime për keqpërdorim të fondeve europiane, masa të lidhura me lirinë e medias, çështje të shtetit së së drejtës, pavarësinë e gjyqësorit dhe taksat e jashtëzakonshme mbi sektorë strategjikë.
Në mënyrë të veçantë, sipas burimeve të cituara, interes i lartë ishte çdo dokument që kritikonte kapjen e mediave në Hungari dhe ndërhyrjet politike në ekonominë e brendshme. Një tjetër fushë e ndjeshme ishte financimi europian dhe hetimet mbi përdorimin e tij, sidomos në rastet ku përfshiheshin figura të lidhura me rrethin personal të Orbánit.
Një episod i veçuar në hetim: një prej diplomatëve të lidhur me shërbimet hungareze, pas mbylljes së mandatit në përfaqësinë e Hungarisë pranë BE, përfundoi duke punuar brenda një njësie sigurie të BE që merrej pikërisht me çështje kundërspiunazhi. Kjo ngriti alarm të brendshëm tek disa funksionarë të Komisionit, të cilët raportuan se një person që më parë kishte tentuar të nxirrte informacione të brendshme tani kishte akses në sistemet e sigurisë së Unionit. Zyrtarisht, rasti u relativizua si jo serioz. Jo të gjithë në Bruksel ishin dakord me këtë vlerësim.
Në sfond qëndron tensioni në rritje mes Budapestit dhe Brukselit gjatë viteve 2012-2018, periudhë kur sipas hetimit rrjeti ishte më aktiv. Në atë kohë, marrëdhëniet mes qeverisë së Orbánit dhe institucioneve europiane ishin përkeqësuar rreth lirisë së medias, shtetit të së drejtës dhe përdorimit të parave të BE brenda Hungarisë. Sipas burimeve të cituara, shërbimi sekret i jashtëm hungarez (IH) ishte vënë drejtpërdrejt nën drejtimin politik të njerëzve më të afërt me kryeministrin.
Diplomatët e dërguar në Bruksel nuk vepronin tërësisht vetëm. Sipas hetimit, struktura ishte e lidhur ngushtë me Përfaqësinë e Përhershme të Hungarisë pranë BE, e cila në periudhën 2015-2019 drejtohej nga Olivér Várhelyi, sot Komisioner Europian. Nuk ka prova që Várhelyi të ketë shkelur formalisht detyrimet e tij si komisioner, por burime të brendshme thonë se ai ishte i informuar për mënyrën se si lëviznin njerëzit e inteligjencës hungareze nën mbulesë diplomatike.
Përtej Brukselit, çështja ka hapur edhe një debat më të gjerë në Evropë: sa e besueshme është Hungaria si aleat brenda BE dhe NATO. Shërbimet e sigurisë belge, të cilat janë përgjegjëse të monitorojnë operacionet e spiunazhit në kryeqendrën politike të Bashkimit Europian, prej vitesh e kanë patur nën vëzhgim aktivitetin e Budapestit. Në mënyrë të paformalizuar, disa zyrtarë belgë e përshkruajnë sot Hungarinë jo më si një vend thjesht “mik”, por si një vend “vjollcë”: as armik i deklaruar, por as partner që i besohet plotësisht. Shkak për këtë nuk është vetëm rrjeti i vjetër i spiunazhit, por afrimi i vazhdueshëm i qeverisë Orbán me Moskën.
Brukseli është mësuar të ruhet nga shërbimet ruse, kineze, iraniane. Por kjo histori hedh dritë mbi një shqetësim të ri: çfarë ndodh kur rreziku vjen nga brenda vetë Bashkimit Europian? Në teori, vendet anëtare nuk duhet të spiunojnë njëra-tjetrën për përfitim politik të brendshëm. Në praktikë, sipas këtij hetimi, kjo ka ndodhur.
Për momentin, autoritetet hungareze nuk kanë komentuar publikisht mbi akuzat. Edhe institucionet europiane, në deklaratat zyrtare, shmangin të flasin hapur për një krizë besimi me Budapestin. Por paralajmërimi tashmë është i qartë: grindjet politike mes Brukselit dhe Budapestit nuk janë më vetëm çështje deklaratash publike dhe negociatash buxhetore. Ato janë futur prej kohësh në terrenin e shërbimeve të inteligjencës.
