Katër vite pas përhapjes së një teorie absurde që pretendon se bashkëshortja e presidentit francez është në të vërtetë një burrë, çifti presidencial ka vendosur të ndërmarrë veprime ligjore në Francë dhe në Shtetet e Bashkuara.
Një nga teoritë më të çuditshme dhe më të dëmshme të viteve të fundit ka ndjekur në hije familjen presidenciale franceze. Që prej vitit 2021, rrjetet sociale dhe faqet e komplotistëve kanë përhapur një gënjeshtër të pabesueshme: se Brigitte Macron, bashkëshortja e Presidentit Emmanuel Macron, do të ishte në fakt “Jean-Michel Trogneux”, vëllai i saj.
Kjo teori, e lindur nga një video amatore e publikuar në dhjetor 2021 nga një gazetare dhe një medium, u kthye shpejt në një valë urrejtjeje dixhitale. Pavarësisht deklaratave, demantëve dhe heshtjeve të kujdesshme nga Pallati Élysée, lajmi vazhdoi të qarkullojë, duke u amplifikuar nga llogari ekstremiste të djathta dhe më pas nga figura të njohura ndërkombëtare, si influencerja amerikane Candace Owens, e afërt me rrethin e presidentit Donald Tramp.
Përballë kësaj fushate shpifjesh që ka kaluar kufijtë francezë, çifti Macron ka vendosur të reagojë. Ata kanë hapur një proces për bullizëm kibernetik në Francë, që pritet të nisë në fund të tetorit, dhe kanë depozituar një padi në Shtetet e Bashkuara për përhapje të qëllimshme të informacionit të rremë.
Për të hetuar burimet dhe përhapësit e këtij rrjeti nformimi, Brigitte dhe Emmanuel Macron kanë angazhuar ish-prokurorin federal amerikan Daniel Nardello, themelues i firmës hetimore “Nardello & Co”, e specializuar në çështje të ndjeshme ndërkombëtare. Nardello, një “detektiv” i nivelit të lartë me staf ish-agjentësh të FBI dhe ish-magjistratësh, po udhëheq hetimin që synon të identifikojë se kush qëndron pas fushatës së organizuar.
Sipas hetuesve, ky “fake news” është pjesë e një modeli të gjerë manipulimi që përzien komplotizëm, ideologji ekstremiste dhe përfitime ekonomike nga klikimet dhe reklamat në rrjete. Pavarësisht përgënjeshtrimeve zyrtare, çdo shfaqje publike e Brigitte Macron shoqërohet ende nga komente, etiketime dhe teori që synojnë të dëmtojnë imazhin e çiftit presidencial.
Në Francë, kjo çështje ka hapur debatin mbi kufijtë e fjalës së lirë në epokën digjitale dhe përgjegjësinë e platformave për përmbajtjen e rreme. Për Macronët, megjithatë, ajo ka kaluar çdo kufi politik apo publik: është kthyer në një betejë personale për dinjitetin dhe të vërtetën.
Sipas një burimi pranë Elysee: “Kjo nuk është më thjesht një gënjeshtër e internetit; është një plagë që godet njerëz, familje dhe institucione.”
