Deklarata e ministres së Jashtme shihet si një mesazh i koduar ndaj zv.kryeministres Balluku, e cila është nën hetim nga SPAK për shkelje në tendera.
Ministrja e Jashtme Elisa Spiropali ka ndezur debat politik me një deklaratë të fortë në një intervistë televizive, që shumë e kanë lexuar si një goditje të drejtpërdrejtë ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku.
Edhe pse pa përmendur emra, Spiropali u shpreh me tone të ashpra për “ata që besojnë se janë të paprekshëm”, duke lënë të kuptohet se kishte në mendje kolegen e saj në qeveri. “Ka njerëz që mendojnë se janë Zot, që gjithçka e kanë në dorë, që mund të ndikojnë mbi fatet e të tjerëve dhe t’i shkelin njerëzit me këmbë. Unë nuk hyj në këtë kategori – unë besoj te drejtësia, që herët a vonë vjen,” deklaroi ajo.
Kjo deklaratë vjen në një moment të ndjeshëm politik për kabinetin “Rama 3”, pasi zv.kryeministrja Belinda Balluku është thirrur nga SPAK në lidhje me hetimet për shkelje të barazisë në tendera. Burime pranë mazhorancës flasin për tensione të brendshme në qeveri, ndërsa Spiropali, e cila shihet si një zë i afërt me kryeministrin, duket se ka zgjedhur të distancohet publikisht nga kolegia e saj.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka mbajtur një qëndrim neutral, duke deklaruar se “drejtësia ka punën e vet dhe partia të vetën”, një mesazh që është interpretuar si shenjë se ai nuk ka ndërmend të ndërhyjë në procesin ndaj Ballukut.
Deklarata e Spiropalit ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale dhe në qarqet politike, duke u parë si një sinjal për ndryshime të mundshme në ekuilibrat brenda qeverisë.
Burime brenda PS thonë se kjo mund të jetë “fillesa e një përplasjeje të heshtur” mes dy figurave më të ekspozuara femërore të mazhorancës, në një kohë kur hetimet e SPAK pritet të sjellin zhvillime të reja gjatë ditëve në vijim.
