Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin italian mbrëmjen e së premtes, ku një turist 69-vjeçar nga Japonia humbi jetën pas një rënieje fatale pranë monumentit të famshëm të Panteonit.
Një aksident tragjik ka ndodhur në Romë, në zemër të një prej vendeve më të vizituara të Italisë. Një turist japonez, 69 vjeç, ka humbur jetën pasi ra nga muri i jashtëm i Panteonit, monumenti historik që çdo ditë tërheq mijëra vizitorë nga e gjithë bota.
Sipas agjencisë italiane Ansa, turisti ishte ulur mbi murin e jashtëm të monumentit kur, në rrethana ende të paqarta, humbi ekuilibrin dhe ra në një hendek rreth shtatë metra të thellë.
Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje, por për fat të keq, mjekët konstatuan se ai kishte ndërruar jetë në moment. Policia romake ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ndërsa pista paraprake sugjeron se burri mund të ketë pësuar një shqetësim shëndetësor të menjëhershëm.
Vajza e viktimës, e cila ndodhej me të gjatë udhëtimit në Itali, ka deklaruar se i ati ishte ndjerë papritur keq pak çaste para se të binte.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe mes turistëve dhe banorëve të Romës, ndërsa autoritetet italiane po shqyrtojnë mundësinë e forcimit të masave mbrojtëse përreth zonës së monumentit për të parandaluar episode të ngjashme në të ardhmen.
